Debat: Teknologjia - mjet për parandalimin e korrupsionit dhe promovimin e qeverisjes së mirë

Në kuadër të javës kundër korrupsionit, sot është organizuar sesioni me temën “Si mund teknologjia të promovojë qeverisje të mirë të institucioneve publike”, nga Open Data Kosovo në bashkëpunim me Zyrën e Bashkimit Europian në Kosovë.

Blerta Thaçi, drejtoreshë ekzekutive tha se Open Data Kosovo në partneritet me institucionet publike kanë filluar që të implementojnë zgjidhje digjitale në mënyrë që puna e tyre të bëhet më efikase dhe më transparente.

Ndërkaq, Luigi Bursa nga Zyra e Bashkimit Europian, theksoi se lufta kundër korrupsionit është një nga fushat më të rëndësishme për të cilat punon BE.

Blerina Ramaj, nga Open Data Kosovo potencoi se institucionet publike në rajon që kanë përdorur zgjidhje digjitale kanë përformuar më mirë dhe kanë qenë më të hapura. Disa nga zgjidhjet digjitale që përdoren në rajon për të promovuar qeverisjen e mirë janë, Financa të hapura në Maqedoninë e Veriut, e-Peticioni në Malin e Zi, softueri për ndarjen e rastësishme të rasteve në gjykata në Serbi, Kontratat e Hapura në Komunën e Prishtinës etj.

Në kuadër të sesionit, Faik Ispahiu nga Kallxo.com, Diana Metushi Krasniqi nga KDI dhe Jetmir Bakija nga D+, paraqitën raste aktuale se si ata kanë luftuar me sukses kundër abuzimit me paratë publike, padrejtësive dhe korrupsionit.

Faik Ispahiu nga KALLXO.com tregoi disa nga raportimet që i kanë bërë për të luftuar korrupsionin si: Sa han shefi- mbi shpenzimet në dreka dhe darka të përfaqësuesve publikë, Faturat e Komunave dhe Raportet mbi zëvendësministrat.

Kurse, Diana Metushi Krasniqi nga KDI, tha se në mënyrë që të parandalojmë e jo luftojmë korrupsionin duhet të kemi qasje në kohë reale në informata se pasi që të bëhet keqpërdorimi ne veçse kemi humbur kohë dhe para në at drejtim.

Jetmir Bakija nga D+, po ashtu theksoi se punojnë në monitorimin e prokurimit publik pasi që shumica e keqpërdorimeve dhe aferave të korrupsionit ndodhin në këto procedura dhe parandalimi para ekzekutimit të kontratave është e domosdoshme.