Policia lanson fushatën "Zero ryshfet për të korruptuarit"

Policia e Kosovës në kuadër të javës “Kundër Korrupsion” ka lansuar sot një fushatë sensibilizuese  me moton “Zero ryshfet për të korruptuarit”.

Në një konferencë për media, drejtori i Departamentit për Hetime në Policinë e Kosovës, Riza Shillova dhe drejtori i Departamentit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, Bashkim Spahiu kanë shpalosur punën e policisë për këtë vit, për luftimin e krimit dhe korrupsionit.

Riza Shillova, drejtor i Departamentit për Hetime në një konferencë për media ka thënë se Policia e Kosovë kërkon bashkëpunim nga qytetarët dhe institucionet përkatëse që të punojnë së bashku në luftimin e krimit dhe korrupsionit.

“Kjo dukuri paraqet kërcënim serioz për proceset në të cilat po kalon Kosova. Fushata në javën kundër korrupsionit kontribuon për sensibilizimin e opinionit për këto dukuri”, u shpreh Shillova.

Ai tutje shoti se fokusi i Policisë së Kosovës për luftën kundër korrupsionit do të jetë me fokus në goditjen e profileve të larta.

Ndërsa Bashkim Spahiu, drejtor i Departamentit për Hetimin e Krimeve Ekomomike dhe Korrupsionit në këtë konferencë ka shpalosur statistikat e kësaj drejtorie që nga janari e deri më tani.

“Në drejtorinë tonë janë regjistruar gjithsej 393 raste , janë arrestuar 74 persona, janë ngritur 336 kallëzime penale, dhe janë shkatërruar shtatë grupe kriminale”, ka treguar Spahiu.

Ai tutje ka përmendur edhe rastet e arrestimeve të personave zyrtarë në Ministri të ndryshme.

“Do të veçoja arrestimin e zyrtarëve në Ministrinë e Shëndetësisë, ku kemi arrestuar tetë zyrtarë, ku është shkaktuar dëme mbi  një milion euro, rasti në Ministrinë e Zhvillimit Rural, për rastet e subvencioneve ku ka pasur keqpërdorime dhe kemi arrestuar tre zyrtar policor, një rast tjetër është në Ministrinë e Infrastrukturës ku kemi arritur të identifikojmë dhe arrestojmë gjashtë zyrtar të lartë”, ka treguar Spahiu.

Ai tutje ka shtuar angazhimi dhe luftimi i korrupsioni nuk është në një nivel të kënaqshëm, pasi që synimet janë që të fuqizohet luftimi i këtyre dukurive negative.