Oda Ekonomike Amerikane: 72% e bizneseve e shohin korrupsionin si çështje kritike

Në kuadër të javës kundër korrupsionit Oda Ekonomike Amerikane në bashkëpunim me USAID-in, shpalosën të dhënat e një studimi i cili përfshinë 256 kompani nga e gjithë Kosova, ku paraqiten gjetje shqetësuese dhe shifra në disa tregues të perceptimit të korrupsionit, me përkeqësime të konsiderueshme.

Studimi i vitit 2019 tregon se 72% e bizneseve e shohin korrupsionin si një çështje shumë kritike në Kosovë. Sundimi i dobët i ligjit kryeson në grupin e faktorëve që kontribuojnë në korrupsion, 65.63% e bizneseve besojnë se pagat e ulëta dhe varfëria janë faktori i dytë që nxit njerëzit drejt korrupsionit.

Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka, deklaroi se mbetet shqetësuese prania e madhe e korrupsionit në vend.

“Bizneset po hezitojnë të raportojnë korrupsionin, ngase janë në dijeni që korrupsioni ndikon në uljen e investimeve të huaja direkte”, tha Zeka.

Chris Thomson, drejtor për drejtësi komerciale në USAID, theksoi se pas rezultateve shqetësuese dhe pranisë së madhe të korrupsionit, qeveria duhet ta formojë gjykatën komerciale.

“Të themelohet një gjykatë komerciale nga qeveria në ardhje, jam befasuar me rezultatet, ka një përqindje të madhe të mos besimit”, u shpreh ai.

Ardita Hajra, zyrtare e politikave në Odën ekonomike Amerikane, tha se papunësia dhe korrupsioni po nxisin emigrimin e fuqisë punëtore.

“Korrupsioni paraqitet si një nga problemet më të mëdha në vend. Papunësia dhe korrupsioni po nxisin emigrimin e fuqisë punëtore. Janë mbi 72% që mendojnë se duhet trajtim urgjentë i korrupsionit, 49.97% kanë mungesë vullneti politik për ta luftuar dhe 50.39% mendojnë se pagat e ulëta dhe varfëria janë faktorë që nxisin korrupsionin dhe sundimi i dobët i ligjit kryeson në mesin e këtyre faktorëve me 65.63%.” u shpreh Hajra.

Nertilë Latifi, specialiste për drejtësi komerciale në USAID, thotë se në bazë të gjeturave nga studimi, faktorët kryesor të korrupsionit vazhdojnë të jenë ryshfeti, keqpërdorimi i parasë publike dhe nepotizmi.

“Ryshfeti, keqpërdorimi i parasë publike dhe nepotizmi janë faktorët kryesorë të korrupsionit.

75% e bizneseve janë deklaruar se do ta raportojnë korrupsionin, kurse 4% e bizneseve janë shprehur kundër raportimit, 27% e bizneseve nuk besojnë në sistemin gjyqësor, jo për shkak të legjislaturës së dobët por moszbatimi i saj në mënyrën e duhur.”, tha Latifi.

Pakënaqësia me rezultatet e luftimit të korrupsionit nga vitet e kaluara duket se ka pasur një ndikim dekurajues tek bizneset në raportimin e korrupsionit.

Java kundër korrupsionit ka filluar sot ku janë bërë bashkë shumë organizata të shoqërisë civile për temat që do trajtohen gjatë këtyre ditëve, fokusi kryesor do jenë sinjalizuesit dhe mbrojtja e tyre para ligjit.