Mbahet takimi i KPSA, kërkohet vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi

Gjatë ditës së sotme anëtarët e Kuvendit të Kosovës dhe anëtarët e Parlamentit Evropian janë  takuar  në Strasburg për mbledhjen e 6-të të Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë (KPSA).

Takimi është  bashkë kryesuar nga shefi i grupit parlamentar të PDK-s,  Memli Krasniqi dhe  Tonino Picula, kryetar i delegacionit të Parlamentit Evropian).

Sipas komunikatës së lëshuar nga zyra për media e Kuvendit të Kosovës bëhet e ditur se janë diskutuar një sërë çështjesh.

“Takimi, i bashkëkryesuar nga Memli Krasniqi (PDK, Kosovë) dhe Tonino Picula (S&D, Kroaci), u shënua me diskutime gjithëpërfshirëse dhe të frytshme për një sërë çështjesh të rëndësishme, duke përfshirë zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit BE-Kosovë, procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe rëndësinë e vazhdimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në komunikatë.

Poashtu në këtë takim janë diskutuar edhe çështjet që kanë të bëjnë me gjendjen sociale dhe ekonomike në Kosovë, si dhe procesin e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të rregullt.

Tutje bëhet e ditur që nga ky takim ka pasur edhe dakordancë që dialogu me Serbinë të vazhdoj për normalizimin e marrëdhënieve.

“Bashkëkryesuesit u pajtuan se progresi në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i nevojshëm, në mënyrë që palët të arrijnë një marrëveshje ligjore të detyrueshme përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Në këtë drejtim, anëtarët kishin pikëpamje të ndryshme për tarifat e vendosura nga Kosova ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës”, thuhet tutje në komunikatë.

Në fund të këtij takimi është vendosur që mbledhja e 7-të i KPSA BE-Kosovë të mbahet në Prishtinë më 28-29 tetor 2019.