Vrasja e pesë anëtarëve të familjes Bllaca, zv/komandanti i Policisë në Gjilan rrëfehet para Gjykatës

Xhavit Azizi, punonjës i Policisë së Kosovës (staf civil), i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare ka dalur sërish para gjykatësit në Gjilan për t’u përballur me akuzën e Prokurorisë.

Ai po akuzohet se si përgjegjës për ruajtjen e armëve në Stacionin Policor në Gjilan, e kishte lejuar të ketë qasje në sirtarë Valdete Bllacën, e cila pastaj me armë zyrtare i kishte vrarë prindërit, dy vëllezërit dhe në fund edhe veten.

Në seancën e sotme, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Isuf Sadiku, i akuzuari Xhavit Azizi tha se nuk e pranon fajësinë lidhur me atë që Prokuroria e ngarkon.

Tutje, në cilësinë e dëshmitarit u dëgjua zëvendës komandanti i Stacionit të Policisë në Gjilan, Naser Rrahmani. Ai tha se lidhur me rastin ku akuzohet Xhavit Azizi, ka dhënë deklaratë në IPK dhe në Prokurori dhe se mbetet pranë tyre.

“Zyrtarja policore, tani e ndjera Valdete Bllaca ka punuar në Drejtorinë Rajonale në Prishtinë dhe nuk e kam njohur mirë. Pasi asaj ju ka shqiptuar një masë disiplinore, ka ardhur në Stacionin Policor në Gjilan dhe është sistemuar. Zyrtarët të cilët kanë punuar me të kanë pasur vërejtje, pasi sipas tyre, ajo ka qenë e pa përshtatshme dhe ju ka sjellur telashe edhe atyre”, tha dëshmitari Rrahmani.

Tutje aj tha se pas vërejtjeve të shumta ndaj të ndjerës, kanë kërkuar ekzaminim psikiatrik por edhe pas ekzaminimit ka vazhduar e njëjta gjendje.

“Pasi është vendosur t`i merret arma zyrtare të ndjerës, e njëjta i është dërguar tani të akuzuarit, i cili e ka për obligim të kujdeset për të (për armën). Zyre të posaçme për ruajtjen e armëve në mënyrë administrative nuk ka pasur, andaj në Stacionin Policor në Gjilan, është dhoma e dëshmive dhe zyra e inteligjencës ku qasje në të ka vetëm një person tjetër dhe tani i akuzuari Azizi”, tha tutje dëshmitari Naser Rrahmani.

Në vazhdim ai tha se kanë shkuar brenda në dhomën e inteligjencës ku brenda saj gjendet një sef me disa sirtarë, dhe e kanë parë se arma zyrtare mungon.

Rrahmani gjithashtu tha se qasje në dhomën e inteligjencës ka pasur vetëm një person, kurse qasje në sirtarë (të cilët gjenden brenda dhomës së inteligjencës), ka pasur vetëm i akuzuari Xhavit Azizi.

Në fund fare tha se nuk e di nëse i akuzuari Azizi, ia kishte dhënë çelësat e sirtarëve tani të ndjerës, nga ku edhe e njëjta e kishte marrë armën e saj zyrtare me të cilën i kishte vrarë dy prindërit e saj, dy vëllezërit dhe në fund edhe veten.

Në vazhdim u dëgjua edhe dëshmitarja Lumturije Aliu, e punësuar në Stacionin Policor në Gjilan, si staf civil. Ajo tha se ka dhënë deklaratë në IPK dhe Prokurori dhe se mbetet pranë tyre.

Pas propozimeve për dëshmitarë të tjerë, seanca e sotme do të vazhdohet më 14 tetor 2021.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari Azizi, si person zyrtar në Stacionin Policor në Gjilan, në cilësinë e përgjegjësit për ruajtjen e armëve të zyrtarëve policor, ka mbajtur çelësin e sirtarit metalik ku janë mbajtur armët e policëve.

Sipas Prokurorisë po në atë sirtarë është mbajtur edhe arma e ish zyrtares Policore Valdete Bllaca (armë e cila të ndjerës për arsye shëndetësore-psikike i ishte konfiskuar), ashtu që i akuzuari nuk i ka ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe tani të ndjerës Valdete Bllaca ju ka mundësuar që t’i kopjoj çelësat e zyrës dhe sirtarit metalik dhe nga aty e ka marrë armën e saj zyrtare me të cilën vitin e kaluar i kishte vrarë prindërit, dy vëllezërit dhe në fund edhe veten.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast:

Përgjegjësi për ruajtjen e armëve në Stacionin Policor në Gjilan deklarohet për fajësinë