Përgjegjësi për ruajtjen e armëve në Stacionin Policor në Gjilan deklarohet për fajësinë

Xhavit Azizi, punonjës i Policisë së Kosovës (staf civil), i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare ka dalur para gjykatësit në Gjilan për t’u përballur me akuzën e Prokurorisë.

Ai po akuzohet se si përgjegjës për ruajtjen e armëve në Stacionin Policor në Gjilan, e kishte lejuar të ketë qasje në sirtarë Valdete Bllacën, e cila pastaj me armë zyrtare i kishte vrarë prindërit, dy vëllezër dhe në fund edhe veten.

Në seancën e sotme e cila ishte fillestare, ai tha se nuk e ndien veten fajtor lidhur me aktakuzën e cila i vihet në barrë.

“Nuk e pranoj fajësinë pasi që nuk kam asgjë të bëjë me këtë çështje”, tha shkurt i akuzuari Azizi.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari Azizi, si person zyrtar në Stacionin Policor në Gjilan, në cilësinë e përgjegjësit për ruajtjen e armëve të zyrtarëve policor, ka mbajtur çelësin e sirtarit metalik ku janë mbajtur armët e policëve.

Sipas Prokurorisë po në atë sirtarë është mbajtur edhe arma e ish zyrtares Policore Valdete Bllaca (armë e cila tashmë të ndjerës për arsye shëndetësore-psikike i ishte konfiskuar), ashtu që i akuzuari nuk i ka ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe tani të ndjerës Valdete Bllaca ju ka mundësuar që t’i kopjoj çelësat e zyrës dhe sirtarit metalik dhe nga aty e ka marrë armën e sajë zyrtare me të cilën vitin e kaluar i kishte vrarë prindërit, dy vëllezërit dhe në fund edhe veten.

Seanca e sotme u shty për t’i dhënë mundësi të akuzuarit të bëj kundërshtimin e aktakuzës.