Gjykimi për drogë - Foto: KALLXO.com

U kap me drogë në oborrin e shkollës, gjilanasja dënohet me burg e gjobë

Gjykata e Gjilanit e ka aprovuar marrëveshjen për pranim të fajësisë, të lidhur mes Prokurorisë dhe të akuzuarës Donjeta Rashiti me mbrojtësen e saj.

Në fillim të seancës mbrojtësja e të akuzuarës, avokatja Malsore Halili propozoi që t’i ndërpritet masa e paraburgimit të akuzuarës pasi që kanë pushuar shkaqet ligjore për caktimin e kësaj mase. Gjithashtu, ajo tha se janë afër marrëveshjes për pranimin e fajësisë me prokurorin.

“Jemi në negociata me Prokurorinë për të hyrë në marrëveshje për pranimin e fajësisë. Në momentin që do ta arrijmë këtë marrëveshje do ta njoftojmë Gjykatën lidhur me të”, tha avokatja Halili.

E akuzuara e mbështeti fjalën e mbrojtëses së saj.

Prokurori i shtetit nuk u deklarua rreth propozimit të avokates Halili për masën e paraburgimit, duke shtuar se është i bindur se qysh ditën e sotme do të arrihet një marrëveshje për pranimin e fajësisë.

Më pas, kryetari i trupit gjykues e ndërpreu seancën.

Seanca vazhdoi prej orës 15:00, kur u bë e ditur se ishte arritur marrëveshja e paralajmëruar, e cila parashihte që të akuzuarës t’i shqiptohet dënim me burgim prej 1 viti dhe dënim me gjobë prej 200 euro.

Kryetari i trupit gjykues Zyhdi Haziri deklaroi se aprovohet marrëveshja e sjellë në Gjykatë si tërësi.

“Pasi që kjo marrëveshje është e nënshkruar nga palët në procedurë dhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore e njëjta edhe për Gjykatën është e pranuar”, tha gjyqtari Haziri.

Sipas Prokurorisë, e akuzuara më 11 tetor në oborrin e shkollës së mesme teknike në Viti ka poseduar substancë narkotike të llojit marihuanë.

Tutje, sipas akuzës, Donjeta Rashiti këtë substancë e ka pasur në posedim pa autorizim ashtu që pas kontrollit të ushtruar nga Policia i është gjetur dhe sekuestruar një ‘Joit’ (në formë të cigares) në peshë prej 2.3 gramë.