Suzana Gashi: Arsyetimet e gjykatave për zvarritjen e lëndëve nuk qëndrojnë para Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut

Suzana Gashi nga Institucioni i Avokatit të Popullit në emisionin “Kallxo Përnime” ku po debatohet për zvarritjet e lëndëve civile në gjykata, tha se këto zvarritje janë një problem kronik në shoqërinë tonë.

Sipas Gashit, arsyetimet që dalin nga gjykatat për zvarritjen e lëndëve nuk mund të qëndrojnë pranë Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

“Arsyetimet që ne i marrim nga gjykatat se ka grumbullim të lëndëve, se ka pak gjyqtarë, nuk qëndrojnë pranë Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, pasi shteti mbahet përgjegjës për këto situata, pasi s’i ka shpërndare resurset ose nuk i ka paraparë fluksin e lëndëve që munden me u zgjidhë para gjykatës”, tha Gashi.

Gashi tha se një problem i shpeshtë te gjyqtarët është se nëse kanë probleme në zbatim të ligjit, apo ligje që duhet një mendim i Gjykatës Kushtetuese janë raste të rralla që gjykata i dërgon për kontroll në Gjykatën Kushtetuese.

“Kemi hasur në këto situata dhe është dashtë vetë që me ndërhy në raste të tilla, kur kemi hasur që një ligj ka probleme për me dërgu në Gjykatë Kushtetuese më kërku, mandej gjyqtarët janë shume të lirë pasi nuk kanë afat të kufizuar, përderisa Institucioni i Avokatit të Popullit e ka një kufizim kohor për me ngritë çështje në Gjykatë Kushtetuese”, shtoi ajo.

Ajo tha se nuk e di pse gjyqtarët nuk e bëjnë një gjë të tillë për të dërguar ligjin në Gjykatën Kushtetuese.

“Nuk e di pse gjyqtarët nuk e bëjnë një gjë të tillë, a nuk janë të përgatitur profesionalisht apo thjeshtë janë të ngarkuar me lëndë”, theksoi Gashi.