Sot Salih Mustafa del para Gjykatës Speciale

Sali Mustafa, i njohur gjatë luftës si komandant Cali, sot do të përballet me prokurorin e specializuar Jack Smith, për katër pikat e akuzës që e ngarkojnë.

Të enjtën më 24 shtator Salih Mustafa është arrestuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe ishte dërguar në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë pasi që ndaj tij ishte konfirmuar aktakuza më 12 qershor.

Sot, 4 ditë pas arrestimit në ora 15:00, në Dhomën e Specializuar në Hagë, do të dalë Sali Mustafa për t’u deklaruar rreth aktakuzës që e ngarkon për vrasje, trajtim mizor, torturë e ndalim arbitrar të 6 personave civil në Zllash të Prishtinës.

Sipas Rregullores së punës dhe provave para dhomave të specializuara, paraqitja e parë në gjykatë bëhet brenda 7 ditësh nga dorëzimi i aktakuzës ose brenda 3 ditësh nga arrestimi i personit të akuzuar.

Sipas rregullës 92 të kësaj rregulloreje, seanca e sotme do të mbahet nga gjykatësi i procedurës paraprake.

Sipas kësaj rregulle, pasi gjykatësi i procedurës paraprake të bindet se të akuzuarit i është respektuar e drejta për të pasur avokat të specializuar, kërkon që të akuzuarit t’i lexohet aktakuza në gjuhën që e kupton.

Pastaj gjykatësi e informon të akuzuarin se nga seanca e sotme brenda 30 ditësh duhet të deklarohet a e pranon fajësinë sipas aktakuzës apo jo, por deklarimin rreth fajësisë mund ta bëjë edhe sot.

Në qoftë në seancën e sotme dhe në seancën e radhës i akuzuari nuk deklarohet rreth fajësisë, gjykatësi i procedurës paraprake procedon sikur i akuzuari të jetë deklaruar i pafajshëm.

Po ashtu sipas 3 të rregullës 92, në dëm të akuzuarit nuk nxirret asnjë përfundim në rast se ai refuzon të deklarohet rreth fajësisë.

Mirëpo sipas rregullës 93, nëse Salih Mustafa- komandant Cali, sot e pranon fajësinë atëherë gjykatësi i procedurës paraprake e njofton kryetarin e Gjykatës i cili e formon trupin gjykues për të shqyrtuar dosjen dhe dhënë aktgjykimin.

Sipas paragrafit 2 të rregullës 93, prokurori i specializuar pasi dosja të kalojë te trupi gjykues mund të ndryshojë aktakuzës apo të tërhiqet nga aktakuza, mund të propozojë kufijtë e dënimit, mund të mos kundërshtojë kufijtë e dënimit të propozuar nga mbrojtësi i specializuar.

Tutje pasi të formohet trupi gjykues nga kryetari i gjykatës, mban seancë në të cilën bindet se i akuzuari pranon fajësinë vullnetarisht, se i njëjti ka kuptuar pasojat e pranimit të fajësisë, se pranimi i fajësisë është plotësisht i qartë dhe i pa dykuptimtë dhe se i njëjti ka bazë faktike në mbështetje të provave si dhe merret në interes të drejtësisë.

Trupi gjykues kur bindet se janë plotësuar kushtet e lartë cekura merr vendim të arsyetuar i cili bëhet pjesë e dosjes së lëndës.

Sipas aktakuzës së konfirmuar më 12 qershor 2020, Salih Mustafa- komandant Cali po akuzohet si epror i njësitit BIA, që kishte 500-600 anëtarë, vepronin kryesisht në zona të mëdha urbane si Prishtina dhe Obiliqi dhe përreth këtyre zonave, si dhe në rajonin e Gollakut në të cilin ndodhet fshati Zllash.

Sipas aktakuzës, njësiti BIA vepronte në  një kompleks në Zllash që përfshinte një numër ndërtesash e përdorej si vendstrehim të sigurt dhe si qendër ndalimi dhe marrjeje në pyetje.

Me aktakuzë  Mustafa ngarkohet se mes 1 dhe 19 prillit 1999 së bashku me pjesëtaret e tjerë të UÇK-së, ushtarët me pseudonimet ‘Tabuti’, ‘Ilmi VELA’, ‘Bimi’, ‘Dardani’, ‘Afrimi’, u hoqën lirinë së paku gjashtë personave pa proces ligjor të rregullt në kompleksin e ndalimit në Zllash.

Sipas aktakuzës, personat e ndaluar u mbajtën të ruajtur me rojë, ndër të tjera në një stallë të kyçur, dhe iu nënshtruan akteve të trajtimit mizor dhe të torturës.

Aktakuza thotë se i akuzuari Mustafa së bashku me pjesëtarët e tjerë të UÇK-së, kishin kryer trajtim mizor sepse 6 të ndaluarëve nuk u kishin mjaftueshëm ushqim, ujë dhe kushteve higjienike dhe sanitare, fjetje, strehim dhe kujdesit shëndetësor.

Pika e akuzës  që  ngarkon Mustaën me torturë thotë se i akuzuari Mustafa së bashku me pjesëtarët e tjerë të UÇK-së ndaj personave të ndaluar u shkaktuan viktimave vuajtje ose dhimbje shumë të rënda me synim marrjen e informatave ose deklaratave pranuese, duke i ndëshkuar, frikësuar ose shtrënguar viktimat ose duke i diskriminuar viktimat, ndër të tjera për arsye politike.

Aktakzua ngarkon Mustafën edhe për vrasjen e njërit prej 6 personave të ndaluar.

Sipas kësaj pike të aktakuzës, i akuzuari Salih Mustafa, ishte prezent në kompleksin e ndërtesave të Zllashit, kur pjesëtarët e UÇK-së e kishin sjellur personin tani të vrarë dhe e kishin shënjestruar duke e rrahur dhe shënjestruar më shumë se personat e tjerë.

Sipas aktakuzës, gjatë kohës së ndalimit të personit të vrarë, familjarët e tij vazhdimisht kishin kërkuar informata rreth tij, por nuk i ishin dhënë informata të plota, ose u ishin dhënë informata të rreme.

Të gjitha lajmet për Salih Musatfën mund t’i lexoni në këtë link.