Shtyhet seanca në rastin ‘Ukë Rugova 2’

Është shtyrë seanca ndaj 15 të akuzuarve në rastin ‘Ukë Rugova 2’. Shtyrja e seancës erdhi për shkak të mos prezencës së dëshmitarëve.

Sipas kryetarit të trupit gjykues Kujtim Krasniqi disa nga dëshmitarët gjenden jashtë vendit, për disa prej tyre nuk është gjetur adresa e banimit ndërsa disa nga ta nuk janë paraqitur edhe pse ftesën e kishin pranuar.

Për këtë, prokurorja e rastit Florije Shamolli propozoi që deklaratat e dëshmitarëve që gjenden jashtë vendit të lexohen.

Propozimin e prokurores e kundërshtuan avokatët Muhamet Humolli dhe Eset Berisha, sipas të cilëve në këtë mënyrë nuk do të mund t’i sfidonin ata dëshmitarë.

Trupi gjykues për shkak të kësaj mori vendim që te shtyhet seanca dhe të merren të gjitha veprimet për sigurimin e dëshmitarëve në procedurë.

Për leximin e deklaratave të dëshmitarëve që gjenden jashtë vendit gjykata njoftoi se do të vendosë në vazhdim të shqyrtimit.

Ky  proces gjyqësor është pjesa e dytë e gjykimit ku të akuzuarit përballen me akuzat për mashtrim dhe kontrabandim me migrantë e që në opinion njihet si “mashtrimi me vizat italiane”.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Azem Koskoviku, Hamza Beqiri, Visar Beqiri, Begë Shaqiri, Hasan Shaqiri, Edison Idrizi, Driton Voca, Fadil Ahmeti, Haxhi Islami dhe Valon Selimi, akuzohen nga Prokuroria se duke qenë anëtarë të organizatës të themeluar, organizuar, mbikëqyrur, menaxhuar ose drejtuar nga Ukë Rugova dhe Izet Beqiri, kanë marrë pjesë në furnizimin e individëve me viza Schengen nga Ambasada Italiane në Prishtinë, të cilat janë marrë në mënyrë të paligjshme ose përmes shtrembërimit ose korrupsionit.

Këta 15 të akuzuar i përkasin grupit të të akuzuarve ku bëjnë pjesë edhe Ukë Rugova, ish-deputet dhe djali i Presidentit Ibrahim Rugova, dhe Astrit Haraqija, ish-ministri i Kulturës nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Më 3 korrik të vitit 2020 ndaj këtyre 15 të akuzuarve u veçua procedura penale.

Sipas aktakuzës plot 556 viza Schengen ishin marrë nga Ambasada e Italisë në Prishtinë, si rezultat i aktiviteteve të këtij grupi.

Raportimet e KALLXO.com për këtë rast i gjeni në këtë LINK.