Dëshmitarët rrëfehen në Gjykatë sa para kishin paguar për t`u pajisur me viza italiane
Grupi i dytë i të akuzuarve në rastin e vizave italiane janë ulur sot në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prishtinës.
Në rastin e njohur si ”vizat italiane” akuzohen mbi 15 persona.
Sipas aktakuzës plot 556 viza Schengen ishin marrë nga Ambasada e Italisë në Prishtinë, si rezultat i aktiviteteve të këtij grupi.
Lidhur me pretendimet e prokurorisë në këtë seancë u dëgjuan gjithsej pesë dëshmitarë të prokurorisë.
Behar Zhuniqi gjatë dhënies së dëshmisë së tij tha që kishte paguar rreth 3000 euro për të marrë këtë vizë, por i njëjti nuk kishte shkuar në ambasadë për të aplikuar paraprakisht.
“Jo s`kam qenë në ambasadë, kështu e kam marrë, kam ni që po japin viza…, kam shkuar ne Sapniq, kam gjetë personin edhe i kam treguar, i kam thanë po me duhet një vizë, më ka thanë po, ky personi që e kam kontaktuar e ka emrin Sami Gashi. 3 mijë euro ja kam dhanë”- tha Zhuniqi.
I njëjti shtoi se brenda një periudhe shumë të shkurtër kohore ishte pajisur më vizë Italiane.
“Jo, ma ka pru pasaportën ja kam dhanë paret, n`aksham ja kam dhanë n`ashkam nesër ma ka pru vizën”- tha tutje Zhuniqi.
Se ka dhënë para në këmbim të vizës italiane u deklarua edhe dëshmitari tjetër i prokurorisë Gëzim Sallahu.
“Kurgja, ka pasë me ma pru vizën dhe unë i kam paguar shumën prej 3600-700 euro”- tha Sallahu.
Por i njëjti nuk ishte në dijeni për emrin e personit që i ka dhënë paratë, pasi që personi në fjalë e kishte takuar në stacion të autobusëve e ku i njëjti e kishte pyetur dëshmitarin nëse është i interesuar për vizë.
I njëjti tha që personit që i kishte dhënë paratë nuk ishte prezent në sallë.
Veten të dëmtuar në këtë rast nuk e konsideroi dëshmitari tjetër i prokurorisë, Gjergj Gecaj.
Gecaj tha që kishte biseduar në telefon dhe ishte takuar me tashmë të akuzuarin Valon Selimi, ku biseda ishte zhvilluar në lidhje me vizat. Sipas dëshmitarit këto viza ishin për katër persona të tjerë.
I njëjti tutje tha që pasaportat pas një jave ju kishin kthyer por pa viza dhe për atë arsye nuk ishte bërë pagesa e cila ishte diku rreth 1500-2000 euro.
Por Gecaj nuk arriti që të identifikonte tashmë të akuzuarin Valon Selimi, në momentin kur ai filloi që të parashtroj pyetje në drejtim të dëshmitarit.
“Unë nuk jam t`u e njoft këtë njeri, unë kam nejt me një Valon në pompë të benzinës, por nuk është Valoni që unë e kam takuar”- tha në fund Gecaj.
Në cilësi të dëshmitarit në këtë rast u dëgjua edhe Kadri Vishaj e Bastri Shala.
Kurse për dëshmitarin Besmir Kelmendi prokuroria u tërhoq nga dëgjimi i këtij dëshmitari me arsyen që i njëjti nuk përmend asnjërin nga të akuzuarit në deklarimet e tij të dhëna në hetuesi.
Seanca e radhës për këtë rast u caktua të mbahet me datën 28 prill të këtij viti
Kujtojmë që për këtë rast i akuzuar ka qenë edhe djali i ish presidentit Ibrahim Rugova, Ukë Rugova.
Në mars të po këtij viti gjykata ndaj grupit të parë të të akuzuarve në lidhje me vizat Italiane, mori aktgjykim lirues.
Sipas aktakuzës së prokurorisë, Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Azem Koskoviku, Hamza Beqiri, Visar Beqiri, Begë Shaqiri, Hasan Shaqiri, Edison Idrizi, Driton Voca, Fadil Ahmeti, Haxhi Islami dhe Valon Selimi, akuzohen se duke qenë anëtarë të organizatës të themeluar, organizuar, mbikëqyrur, menaxhuar ose drejtuar nga Ukë Rugova dhe Izet Beqiri, kanë marrë pjesë në furnizimin e individëve me viza Schengen nga Ambasada Italiane në Prishtinë, të cilat janë marrë në mënyrë të paligjshme ose përmes shtrembërimit ose korrupsionit.
Këta 15 të akuzuar i përkasin grupit të të akuzuarve ku bëjnë pjesë edhe Ukë Rugova, ish-deputet dhe djali i Presidentit Ibrahim Rugova, dhe Astrit Haraqija, ish-ministri i Kulturës nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Më 3 korrik të vitit 2020 ndaj këtyre 15 të akuzuarve u veçua procedura penale.
Sipas aktakuzës plot 556 viza Schengen ishin marrë nga Ambasada e Italisë në Prishtinë, si rezultat i aktiviteteve të këtij grupi.
Raportimet e KALLXO.com – LINK