Gjykata e Mitrovicës - Foto: KALLXO.com

Shtyhet seanca ndaj të akuzuarit për sulm ndaj teknikut medicinal

Seanca e shqyrtimit fillestar ndaj Agron Shabanit, i akuzuar nga Prokuroria e Mitrovicës për sulm ndaj teknikut medicinal në Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës së Jugut ka dështuar të mbahet.

Shabani akuzohet se në dhjetor të viti 2019, në repartin e emergjencës në Spitalin Regjional “Dr. Sami Haxhibeqiri”, ka sulmuar personin zyrtar, të dëmtuarin F. M.

Sipas aktakuzës i pandehuri ishte sjellë nga ana e anëtarëve të tij të familjes për kontroll te mjeku kujdestar, dhe se në gjendje të dehur kishte sharë tërë kohën të gjithë të pranishmit dhe me duar ka rrëzuar të gjitha pajisjet aty pranë.

Sipas aktakuzës, kur i dëmtuari – tekniku medicinal F. M., i është afruar për të biseduar me të, me qëllim që ta qetësoj, i dëmtuari e ka goditur të dëmtuarin me këmbë në bark.

Prokuroria pretendon se i akuzuari Shabani me këto veprime ka kryer veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.

Seanca gjyqësore ndaj tij ka dështuar të mbahet pasi i pandehuri Agron Shabani nuk ishte ftuar në mënyrë të rregullt, njoftoi gjyqtari Nikolla Petronijeviq.

Ndërsa në mungesë të kushteve ligjore seanca e sotme është shtyrë në kohë të pacaktuar.