Gjykimi për drogë - 27.09.2019

Shtetasi i Shqipërisë e pranon fajin në Gjykatën e Gjakovës për 48 kg marihuanë

Nik Boshi, i akuzuar për 48 kilogramë marihuanë, e pranoi fajësinë në seancën e mbajtur ndaj tij në Gjykatën e Gjakovës

“Po, e pranoj fajin”, tha shkurt i akuzuari Bokshi.

Ai po akuzohet për blerje e shitje të 48 kg drogë, të marrura nga Shqipëria me qëllim të trafikimit në qytetin e Gjakovës.

Ndërsa prokurori Ali Uka, i propozoi Gjykatës që ndaj të akuzuarit Nik Boshi t`i shqiptohet dënimi plotësues konfiskimi i marihuanës si dhe konfiskimi i telefonit, veturës dhe 5000 lekë shqiptare.

Si rrethanë lehtësuese, prokurori Ali Uka kërkoi nga Gjykata të merret për bazë pranimi i sinqertë i fajësisë nga ana e të akuzuarit.

Në anën tjetër mbrojtësi i të akuzuarit Nik Boshi, avokati Ndrec Dodaj tha se klientit të tij i është shfrytëzuar gjendja e dobët ekonomike dhe se i njëjti ka qenë i manipuluar.

“Ne kërkojmë që ndaj të akuzuarit të ndërprehet paraburgimi dhe se ne jemi të gatshëm që të ofrojmë edhe dorëzanin që i pandehuri të paraqitet në gjykatë”, deklaroi avokati Ndrec Dodaj.

Ndërkaq, gjykatësi Nikollë Komani caktoi ditën e hënë për shpalljen e aktgjykimit.

Sipas aktakuzës, në qershor të këtij viti, në pikë kalimin kufitar Qaf-Morinë, Nik Boshit nga Republika e Shqipërisë, i janë gjetur 48 kilogram e 650 gram marihuanë.

Aktakuza thotë, se i akuzuari Boshi marihuanën e kishte marrë nga personi Petrit Quti në Bajram Curr, me qëllim të trafikimit në Kosovë, pikërisht në Gjakovë.

Kallxo.com kishte raportuar për këtë rast.

Gjakovë, aktakuzë ndaj shtetasit të Shqipërisë për afro 50 kilogramë marihuanë