Rustem Mustafa përmend Enver Sekiraqën në dëshminë e tij në Hagë

Ish-komandanti i UÇK-së, Rustem Mustafa të mërkurën ka dëshmuar në Hagë, ku mes tjerash është përgjigjur për qendrat e ndalimit dhe Shtabin e Përgjithshëm.

Derisa ka folur për të ndalurit, ish-komandanti Remi ka përmendur edhe emrin e Enver Sekiraqës si një prej të ndaluarve në qendrën e ndalimit në Majac.

Mustafa ka thënë se ka pasur persona të ndaluar në zonën e Llapit që kryesisht binin ndesh me rregullat e luftës.

Sipas tij, të ndalurit kishin etni të ndryshme si shqiptar, serb, e kryesisht qytetarë te vendit.

Mustafa pohoi se për këtë kishte mbajtur një proces gjyqësor.

“Kemi përfunduar një proces gjyqësor për këtë dhe mund ta merrni, ka qenë proces i udhëhequr kundër nesh” – tha Mustafa.

Dëshmitari Rustem Mustafa deklaroi se të ndalurit janë mbajtur derisa është qetësuar situata.

“Po ka pas të ndaluar. Është përfolë për dy-tre raste për zënka mes fshatarëve dhe ne kemi ndërhy” – tha ai.

Mustafa mohoi nëse Shtabi i Përgjithshëm kishte ndonjë plan apo urdhër se si të trajtohen të ndaluarit.

“Në seancat në gjyq më është e njohur se ka qarkulluar një dokument rreth ndalimit, në diskutimin e shtabit nuk më kujtohet se ka pas diskutim për këtë çështje. Së paku s’më kujtohet” – tha ai.

Në vijim, dëshmitari Mustafa u pyet nëse komunikatat përmbanin paralajmërime për bashkëpunëtorët.

“Nuk mund të flas specifikisht, por me siguri se është parashikuar që mund të rrezikojnë trupat tona. Dhe të kemi kujdes për ta” – shpjegoi dëshmitari.

Ai tutje shtoi se nuk kishte dijeni nëse Shtabi i Përgjithshëm kishte dhënë ndonjë urdhër për të ndaluarit.

“Nuk e mbaj në mend. Ka pasur tema shumë më të rëndësishme për ne, nuk e kujtoj” – shpjegoi dëshmitar.

Sipas Remit, autoritetin rreth të ndaluarve e kishte komandanti i zonës.

“Komandanti i zonës dhe komandantët e brigadave me siguri. Unë nuk e di që na është thanë kush ka të drejtë nga shtabi i përgjithshëm” – deklaroi Mustafa.

“Nuk ka pasur proces, ka qenë thjeshtë ndalim për ta mos dëmtuar misionin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” – tha Mustafa mes tjerash në dëshminë e tij..

Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së filloi më 3 prill 2023, dy vjet pas arrestimit dhe dërgimit të tyre në Hagë.

Hashim Thaçit Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

ipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.

Deri tani, 140 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor.

Ata janë vetëdeklaruar të pafajshëm për akuzat në fjalë.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.