Foto: KALLXO.com

Rrënimi i aneks-objektit të kompleksit “Abi Çarshia”, e akuzuara: Vendimi ka qenë konform ligjit

Gjykimi lidhur me rrënimin e aneks-objektit të kompleksit “Abi Çarshia” në Prizren ka vazhduar me dhënien e mbrojtjes nga ana e të akuzuarës Jetmire Vrenezi.

Të akuzuar nga Prokuroria për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar janë edhe Islam Thaçi, Egzona Morina- Thaçi, Arian Taraku, Isë Bislimaj dhe Shqipëron Krasniqi, të cilët në cilësinë e zyrtarëve të Komunës së Prizrenit pretendohet se kanë urdhëruar dhe zbatuar kundërligjshëm rrënimin e këtij objekti i cili ishte ndërtuar pa leje.

E akuzuara Vrenezi përpara trupit gjykues deklaroi se çdo vendim të cilin e kishte marrë  lidhur me objektin e akuzës për të cilën ngarkohet, atë e kishte bërë konform ligjit.

“Secilin vendim që e kam marrë sa kam qenë në Drejtorinë e Inspektorateve, e kam marrë konform dispozitave ligjore”, tha Vrenezi.

Vrenezi sqaroi se më 15 qershor 2019, inspektorja paraprake kishte konstatuar se konkluzioni për rrënim vullnetar nuk ishte zbatuar nga investitori “ABI” Sh.P.K., prandaj, nga ana e Drejtorisë kishte pasuar konkluzioni për ekzekutim të prerë.

“Pasi kam pranuar lëndën nga inspektorja tjetër, në procesverbal ishte konstatuar se nuk ka filluar rrënimi vullnetar i objektit sipas afatit të paraparë. Prandaj, ka pasuar konkluzioni për ekzekutim nga ana e Drejtorisë sonë”, tha Vrenezi.

Sipas Vrenezit, megjithëse në po të njëjtën datë lënda i ishte ndarë fillimisht inspektores tjetër, Drejtoria e Inspektorateve kishte konkluduar që pasdite nga ana e saj të inspektohej ai terren.

“Në orët e pasdites, pas pauzës mua më është nda ai terren nga drejtori i Inspektorateve dhe të gjitha lëndët me automatizëm më kanë takuar mua”, tha e akuzuara.

Tutje e akuzuara mohoi të kishte pasur dijeni  që investitori kishte aplikuar për legalizim.

“Drejtoria e Urbanizmit është kompetente për trajtimin e ndërtimeve pa leje, nuk është kompetencë e  Drejtorisë së Inspektorateve të merret me legalizim”, deklaroi ajo.

Vrenezi  shtoi se përkundër vendimit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (me të cilin Prokuroria pretendon se janë anuluar aktvendimet për rrënim), Drejtoria e Inspektorateve e kishte për detyrë që të inspektojë.

“Dispozitivi i vendimit të MMPH nuk e ndalon Drejtorinë e Inspektorateve apo investitorët që të vazhdojnë me ndërtimet e kundërligjshme. Ne jemi të obliguar që çdo ndërtim të kundërligjshëm ta inspektojmë sikurse, vendimet që kanë leje e që duhet t’i inspektojmë”, përfundoi Vrenezi.

Jetmire Vrenezi gjatë ditës së sotme përfundoi dhënien e dëshmisë përpara trupit gjykues të përbërë nga kryetarja Kymete Kicaj me anëtarët Raima Elezi dhe Refki Piraj.

Në seancën e radhës më 4 prill 2022, mbrojtjen pritet ta jepë e akuzuara Egzona Morina-Thaçi.

Sipas Prokurorisë, Islam Thaçi, në cilësinë e drejtorit të Inspektoratit, Jetmire Vrenezi dhe Egzona Morina-Thaçi, inspektore të ndërtimit, Arianit Taraku dhe Isë Bislimaj, zyrtarë në Drejtorinë e Inspektoratit, Shqipëron Krasniqi, përfaqësues ligjor në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, kanë mundësuar realizmin e rrënimit të aneks-objektit të “Abi Çarshia” në Prizren, duke e pasur të ditur faktin se i dëmtuari veçse e kishte dorëzuar aplikacionin për legalizim të aneksit.

Rasti për të cilin akuzohen të pandehurit ka ndodhur më 19 dhe 21 korrik 2019.

Vazhdon rrënimi në objektin e ‘Abi Çarshia’ në Prizren

Prokuroria pretendon se të njëjtit kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje, Udhëzimin Administrativ nr.06/19, Ligjin mbi procedurën e përgjithshme administrative, si dhe vendimet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, nr. A-213/18 dhe A-179/19, me të cilat ishin anuluar aktvendimet e Drejtorisë së Inspektoratit Komunal të Ndërtimtarisë në Prizren.

Sipas Prokurorisë, këto vendime obligojnë organet komunale në Prizren të veprojnë konform Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje, si dhe udhëzimeve administrative në fuqi, andaj sipas aktakuzës, të akuzuarit duke mos i përfillur këto vendime, veprojnë në kundërshtim me ligjet në fuqi.

Dëmi që pretendohet se i është shkaktuar “Abi Çarshia”, me rrënimin e aneksit në fjalë konsiderohet 69 mijë e 729 euro.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK.