Rrëfimi i ndërmjetësuesit para se të plagosej një person nga fqinji i tij

Hasim Krasniqi, është dëgjuar sot në cilësinë e dëshmitarit në gjykimin ndaj dy të akuzuarve në rastin e ‘tentim vrasjes’ së Demir Huruglicës.

Në seancën e sotme po ashtu ka dëshmuar edhe eksperti i balistikës Labinot Mazreku.

Dy vëllezërit, Gëzim dhe Eroll Murati akuzohen për tentim vrasje dhe sulm ndaj fqinjit të tyre Demir Huruglica.

Dëshmitari Krasniqi tha se i tërë problemi kishte filluar për parkim të veturave në rrugë dhe arsyeja sipas tij se pse ishte propozuar si ndërmjetësues nga familja Murati, ishte njoftësia mes tij (dëshmitarit) dhe tashmë të dëmtuarit Huruglica.

“Arsyeja pse më kanë angazhuar mua si ndërmjetësues ka qenë se unë e kam njoft edhe më herët Demirin dhe i njëjti ka fol për mua me anëtarët e familjes Murati, ju ka tregu që m’njeh edhe kjo ka qenë arsyeja që m’kanë angazhuar mua si ndërmjetësues”- tha dëshmitari.

Tutje dëshmitari tregoi momentin kritik kur kishte ndodhur e tërë ngjarja, pas momentit kur kishin shkuar te shtëpia e Demirit për të ndërmjetësuar.

“Pastaj Gëzimi e ka thirr, i ka thanë hajde deri qitu (Demirit) i kam thanë edhe unë hajde Demirit, pastaj Gëzimi i ka thanë hajde o majmun, na e vërejtëm që po nxehet situata, pastaj Demiri tha që nuk është vendi me bo muhabet edhe u nis me shku…, Sulltani pastaj e nisi Gëzimin për në oborrin e vet, edhe aty ka dal Erolli e ka thirr njëherë Demirin edhe e ka sha edhe ja ka shkrep njëherë. Tani unë kam vrapuar shpejt te këta edhe para meje ka dal baba i vet Zajmi, i i cili doli prej oborrit të vet dhe e ka kap Erollin edhe e ka shti brenda në oborr, unë aty ju kom drejtuar Zajmit me fjalët na pret në besë”- tha Krasniqi.

Për fund tha dëshmitari që kontributi i tij pas shkrepjes së armës ishte që të ndalte, kurse Sulltani (Bashkëndërmjetësuesi) me e ngrit Demirin, pasi që i njëjti ishte i shtrirë në tokë.

“Kontributi jem ka qenë me ndal Gëzimin, e Sulltani me ngrit Demirin  me shti në shtëpi të vet”- tha për fund dëshmitari.

Eksperti i forenzikës, Labinot Mazreku tha që arma e cila ishte objekt i ekzaminimit të ekspertizës ishte e punuar vetë në mënyrë artizanale dhe e njëjta nuk kishte numër serik.

Arma përdorej për gjueti dhe sipas ekspertit pushkët e gjuetisë në një perimetër të afërt janë me rrezikshmëri të lartë.

“Zakonisht pushkët e gjuetisë me një perimetër të përafërt kaën rrezikshmëri të lartë”- tha Mazreku.

Dhe perimetri sipas ekspertit është pesë deri në dhjetë metra përafërsisht.

“5 metra – 10 metra përafërsisht, për shkak që, sa ma e shkurtë të jetë tyta e pushkës së gjuetisë aq më herët apo më afër fillon shpërndarja e saqmeve dhe ajo tani kuptohet që gjuan në distancë më të shkurtë”- tha tutje Mazreku.

Në këtë seancë u administruan edhe provat materiale nga ana e palëve në procedurë.

Sipas dosjes së siguruar nga KALLXO.com, i pandehuri Eroll Murati me dashje ka tentuar ta privojë nga jeta Demir Huruglicën, më 21 shkurt 2018, rreth orës 19:10 në Prishtinë. Kjo kishte ndodhur derisa i dëmtuari Demir Huruglica ishte duke përcjellë dëshmitarët Sulltan Pajazitin dhe Hasim Krasniqin, të dërguar nga familja e të pandehurve Eroll e Gëzim Murati për ndërmjetësim lidhur me mosmarrëveshjen e tyre për parkim të veturave në rrugën e përbashkët.

I pandehuri tjetër në këtë rast, Gëzim Murati ishte afruar te ndërmjetësuesit për t’i pyetur se çfarë përgjigje kishte dhënë i dëmtuari ndërmjetësuesve. Ndërmjetësuesit i ishin përgjigjur Gëzim Muratit se “Dema nuk po pranon” dhe aty ishte tensionuar situata. Tutje sipas aktakuzës, me qëllim që të shmanget kjo gjendje, Huruglica i ishte afruar që të treve dhe ju kishte thënë nuk kanë çka me bisedu në rrugë, “thirrni dy shokët të cilët iu patët premtuar se nuk do t’i lini më kerret në rrugë asnjëherë dhe më keni tradhtuar”.

Pas kësaj në aktakuzë thuhet se, i pandehuri Eroll Murati doli nga dyert e shtëpisë dhe me armë në dorë u nis drejt Huruglicës duke sharë e pastaj duke shtënë një herë me armë në drejtim të të dëmtuarit. Plumbi të dëmtuarin e ka qëlluar në dorën që e kishte të mbështetur tek barku, duke arritur ta godas edhe në bark me të njëjtën gjuajtje.

Në këto momente dëshmitari Sulltan Pajaziti kishte bërtitur “hej mos bre” e pastaj për t’ia shpëtuar jetën të dëmtuarit, i ishte hedhur sipër për ta shpëtuar nga gjuajtja e dytë e të pandehurit Eroll Murati.

Sipas Prokurorisë, me këtë veprim, i pandehuri Eroll Murati ka kryer veprën penale ‘vrasje në tentativë’. I njëjti akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje.

Ndërsa në të njëjtin rast i akuzuar është edhe Gëzim Murati për veprën e penale ‘sulm’. I njëjti akuzohet se ka sulmuar dhe kërcënuar me fjalët “kemi me të mbytë krejt” palën Demir Huruglica, pasi që ky i fundi ishte rrëzuar pas goditjeve të marra nga arma e zjarrit.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni në LINK