Foto ilustruese: Pixabay

Provat e Prokurorise, gjilanasi falsifikoi 1 milion dollar

Seanca gjyqësore ndaj të akuzuarve për falsifikim të parave e cila ishte caktuar të mbahet sot ka dështuar.

Arsyeja e dështimit të kësaj seance ka qenë mungesa e disa të akuzuarve.

Prezent nuk ka qenë i akuzuari Ramdan Latifi dhe as mbrojtësi i tij Besnik Berisha, i cili kishte kërkuar nga gjykata që seanca të shtyhej pasi që i njëjti ishte në pushime vjetore. Në seancë mungonin edhe Vigan Latifi e Fidan Latifi të cilëve ftesa u ishte dërguar në mënyrë të rregullt.

Duke pasur parasysh se nuk plotësoheshin kushtet ligjore gjykatësja e rastit Nushe Kukaj- Mekaj vendosi që seanca nuk mund të mbahet.

Të akuzuar e prokurorisë për falsifikim në këtë rast janë Ramadan Latifi, Vigan Latifi, Fidan Latifi, Fatmir Bunjaku dhe Xhevdet Rexhepi.

Dosja e Prokurorisë përshkruan se në shtator të vitit 2012, në Gjilan në një restorant të akuzuarit Ramadan Latifi, Vigan Latifi dhe Fidan Latifi kanë pasur një çantë ku gjendeshin para të falsifikuara në shumë prej 988,400.00 dollarë amerikan dhe janë takuar me të pandehurin tjetër Fatmir Bunjaku të cilit ia kanë dorëzuar paratë në fjalë në mënyrë që ai t`i vë në qarkullim si të vërteta, me marrëveshje që 25% nga vlera e vërtetë e parave të falsifikuara, një “BMW X6” si dhe një shumë përkatëse e parave t`i takojë atyre.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, më vonë të akuzuarit Fatmir Bunjaku dhe Xhevet Rexhepi dhe blerësi i parave janë takuar dhe janë marrë veshë që paratë e falsifikuara t`i vënë në qarkullim.

Prokuroria përshkruan në dosjen e saj se të akuzuarit Xhevdet Rexhepi në bazë të aktakuzës i janë konfiskuar 400 dollarë amerikan gjatë kontrollimit të automjetit të cilin e ka përdorur.