Gjykimi i Armend Aganit dhe Liljana Smiliqit - Foto: KALLXO.com

Prokuroria: Të akuzuarit mashtruan mjekët përmes një konkursi për t’ua shfrytëzuar licencat e punës

Seanca gjyqësore në rastin e të pandehurve Armend Agani dhe Liljana Smiliq është shtyrë.

Shkak i shtyrjes ishte fakti se Prokuroria nuk e ka pajisur të akuzuarën Smiliq me shkresat e lëndës në gjuhën serbe.

Agani dhe Smiliq po akuzohen për veprat penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, mashtrimit dhe legalizimit të përmbajtjes së rremë.

Sipas aktakuzës, Armend Agani dhe Liljana Smiliq, së bashku, kishin shpallur konkurs për pranimin e stafit në poliklinkën ‘’Bel Medic International’’ në Graçanicë.

Qëllimi i këtij konkursi pretendohet të ketë qenë mashtrimi i kandidatëve, në këtë rast i Teuta Latifit e Kadrie Morinës, të dyja dokotoresha të stomatologjisë, dhe Elmedinë Pllanës, teknike e dhëmbëve.

Prokuroria pretendon se të pandehurit kanë mashtruar të sipërpërmendurit pasi që me licencat e tyre të punës, Agani e Smiliq në nëntor të vitit 2017 kishin aplikuar  dhe kishin marrë licencë në Ministrinë  e Shëndetësisë për poliklinikën “Bel Medic International” për stomatologji.

Sipas Prokurorisë, Armend Agani dhe Liljana Smiliq shfrytëzimin e licencave të punës të tani të dëmtuarave Teuta Latifi, Kadrie Morina dhe Elmedinë Pllana e kishin bërë me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore ose shkakimit të dëmit personave të tjerë me ç’rast kanë kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Seanca e radhës u caktua për datën 3 dhjetor.