Pallati i Drejtësisë - FOTO: Fatrion Ibrahimi / KALLXO.com

Refuzohen kërkesat e të akuzuarve Agani dhe Smiliq për keqpërdodim me licenca të punës

Gjykata i ka refuzuar kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave ndaj të akuzuarve për keqpërdorim me licenca të punës.

Armend Agani dhe Liljana Smiliq po akuzohen për keqpërdorim të licencave të punës për poliklinikën e tyre “Bel Med International”.

Të akuzuar për tri vepra penale: Mashtrim në bashkëkryerje, legalizim i përmbajtjes së rreme dhe  keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, Armend Agani dhe Liljana Smiliq, janë deklaruar të pafajshëm në Gjykatën e Prishtinës pas leximit të aktakuzës më 23.1.2020.

Mbrojtësit e të akuzuarve Smiliq dhe Agani, avokatët Ramë Gashi dhe Artan Qerkini kanë paraqitur kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave brenda afatit të paraparë ligjor.

Mbrojtësi i të akuzuarit Armend Agani, avokati Artan Qerkini për Kallxo.com ka konfirmuar lajmin se Gjykata e Prishtinës i ka refuzuar këto kërkesa për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave si dhe bëri të ditur se ka parashtruar ankesë ndaj këtij vendimi dhe se janë në pritje për shqyrtim të ankesës nga Gjykata e Apelit.

Sipas Prokurorisë së Prishtinës, Armend Agani dhe Liljana Smiliq akuzohen se në bashkëkryerje kanë shpallur konkurs për pranimin e stafit në “Bel Medic International” në Graçanicë me anë të paraqitjes së fakteve të rreme, gjatë muajit nëntor të vitit 2017 kanë shfrytëzuar licencat e punës të të dëmtuarve T. L., K. M., E. P., pa dijeninë e tyre (aplikuesve të konkursit), me ç’rast ata kanë licencuar poliklinikën e tyre “Bel Med International”, në Graçanicë, repartin e Stomatologjisë në Ministrinë e Shëndetësisë.