Foto: KALLXO.com

Deklarohen të pafajshëm të akuzuarit për keqpërdorim të licencave të punës të aplikuesve

Të akuzuar për tri vepra penale: mashtrim në bashkëkryerje, legalizim i përmbajtjes së rreme dhe  keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, Armend Agani dhe Liljana Smiliq, janë deklaruar të pafajshëm në Gjykatën e Prishtinës pas leximit të aktakuzës.

Agani dhe Smiliq po akuzohen për keqpërdorim të licencave të punës për poliklinikën e tyre  “Bel Med International”.

Shqyrtimi i dytë gjyqësor lidhur këtë çështje penale do të mbahet më 27.2.2020.

Gjyqtari Naser Foniqi i njoftoi të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre që brenda afatit ligjor kanë të drejtë të paraqesin kundërshtimet e tyre rreth provave dhe aktakuzës.

Më tutje, gjyqtari Foniqi deklaroi se procesverbalet për të akuzuarën Liljana Smiliq nuk mund të përkthehen në gjuhën serbo-kroate.

Gjykimi për licensa mjekësore, avokati akuzon prokuroren se “i ka përzi kabllat”

Sipas Prokurorisë së Prishtinës, Armend Agani  dhe Liljana Smiliq  akuzohen se në bashkëkryerje kanë shpallur konkurs për pranimin e stafit në “Bel Medic International” në Graçanicë me anë të paraqitjes së fakteve të rreme, gjatë muajit nëntor të vitit 2017 kanë shfrytëzuar licencat e punës të të dëmtuarve T.L., K.M., E.P., pa dijeninë e tyre (aplikuesve të konkursit), me ç’rast ata kanë licencuar poliklinikën e tyre “Bel Med International”, në Graçanicë, repartin e Stomatologjisë në Ministrinë e Shëndetësisë.

Prokuroria: Të akuzuarit mashtruan mjekët përmes një konkursi për t’ua shfrytëzuar licencat e punës

Tutje sipas aktakuzës, në pikën dy thuhet se të njëjtit e kanë vënë në lajthim organin kompetent, përkatësisht Ministrinë e Shëndetësisë, që të vërtetojë një çështje të pavërtetë duke prezantuar para të njëjtës dokumentet e tani të dëmtuarës K.M., T.L. dhe E.P., kinse janë të punësuara në këtë klinikë për ta licencuar poliklinikën e tyre. Me çka të pandehurit e lartcekur në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale legalizim i përmbajtjes së rreme.

Prokuroria pretendon se për ta licencuar repartin në fjalë ata e kanë shfrytëzuar edhe pozitën e tyre si persona zyrtarë dhe lidhur me këtë ata po dyshohen edhe për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar.