Gjykimi për licensa mjekësore, avokati akuzon prokuroren se “i ka përzi kabllat”

Problemet me përkthim të shkresave të lëndës kanë bërë që të mos mbahet seanca ndaj Armend Aganit dhe Liljana Smiliçit.

Armend Agani është kushëriri i ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Aganit dhe djali i ish- gjyqtares së Gjykatës Supreme, Shadane Agani.

Këta të dy po akuzohen për keqpërdorim të licensave të punës për poliklinikën e tyre  “BEL MED INTERNATIONAL”.

Njëjtë sikur në seancën e kaluar për këtë rast, mbrojtja e të akuzuarës Smiliç është ankuar se Prokuroria nuk I ka pajisur me shkresat e lëndës në gjuhën serbo- kroate.

Mbrojtësi i të akuzuarës Liljana Smiliç, avokati  Ramë Gashi theksoi se shkresat që i ka pranuar janë në shumicë në gjuhën shqipe.

“Unë kam shkuar në Prokurori dhe i kam pranuar shkresat, por rreth 90 përqind e tyre janë në gjuhën shqipe dhe unë së bashku me te akuzuarën insistojmë që të gjitha shkresat të na dorëzohen në gjuhen serbo-kroate me qëllim që e akuzuara ta dijë plotësisht për çka po akuzohet.

Në anën tjetër, prokurorja e shtetit Dulina Hamiti  deklaroi se mbrojtësit të të akuzuarës Smiliç i është dorëzuar aktakuza në gjuhën serbo- kroate dhe po ashtu është pajisur edhe me shkresat e lëndës.

Menjëherë pas fjalëve të Prokurores replikoi avokati Gashi duke thënë se “ Prokurorja i ka përzi kabllat”.

Sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë Armend Agani  dhe Liljana Smiliç  po akuzohen se në bashkëkryerje kanë shpallur konkurs për pranimin e stafit në “ Bel Medic International” në Graçanicë me anë të paraqitjes së fakteve të rreme, gjatë muajit nëntor të vitit 2017 kanë shfrytëzuar licencat e punës së të dëmtuarve T.L, K.M, E.P, pa dijeninë e tyre- aplikuesve të konkursit , me ç’rast ata kanë licencuar poliklinikën e tyre “BEL MED INTERNATIONAL”, në  Graçanicë,  repartin e Stomatologjisë në Ministrinë e Shëndetësisë.

Tutje sipas aktakuzës,  në pikën dy thuhet se të njëjtit e kanë vënë në lajthim organin kompetent përkatësisht Ministrinë e Shëndetësisë që të vërtetojë një çështje të pavërtetë duke prezantuar para të njëjtës dokumentet e tani të dëmtuarës K.M, T.L dhe E.P kinse janë të punësuara në këtë klinikë për ta licencuar poliklinikën e tyre. Me çka të pandehurit e lartcekur në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale Legalizim i Përmbajtjes së Rreme.

Prokuroria pretendon se për ta licencuar repartin në fjalë ata e kanë shfrytëzuar edhe pozitën e tyre si persona zyrtarë dhe lidhur me këtë ata po dyshohen edhe për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar.