Ilustrim

Pejani tentoi të vetëvritej pasi pagoi 90 mijë euro fajde

Policia e Pejës ka arrestuar tre persona të cilët dyshohet se zhvatën mijëra euro nga një qytetar.

KALLXO.com ka mësuar rrethanat e zbulimit të këtij rasti të fajdeve. Burimet e KALLXO.com kanë thënë se rasti nuk është lajmëruar në polici nga viktima, por gjithçka ishte zbuluar pasi viktima kishte tentuar të vetëvritej duke pirë detergjente.

Pas tentimit për vetëvrasje, viktima me pas ishte intervistuar nga Policia dhe kishte treguar rrethanat e fajdes.

KALLXO.com ka raportuar se një operacion i njësisë së hetimeve në stacionin e policisë në Pejë ka rezultuar me arrestimin e tre personave të dyshuar për fajde: njëri nga Deçani e dy nga qyteti i Pejës.

KALLXO.com mëson se viktima kishte deklaruar në polici se kishte marrë 1 mijë e 700 euro borxhe, ndërsa ka kthyer 90 mijë euro. Ndërsa, sipas viktimës, të dyshuarit ishin duke i kërkuar edhe 19 mijë të tjera.

KALLXO.com mëson se tre të dyshuarit me vendim të prokurorit të Pejës janë paraburgosur.

Pejë: Goditen Fajdet, për 1 mijë e 700 euro viktima pagoi 90 mijë euro