Paraburgim gjilanasit që dyshohet se i shkaktoi lëndime gruas

Gjykata në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë së Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh të pandehurit Sh.S.

Sipas njoftimit të Gjykatës, i pandehuri dyshohet se e ka kryer veprën penale të dhunës në familje.

“Ekziston dyshimi i bazuar se me 26.07.2020, nga ora 23:00, në shtëpinë e përbashkët, i pandehuri me dashje dhe me qëllim të ushtrimit të pushtetit dhe kontrollit, cenimit të dinjitetit tek bashkëshortja e tij H. S., ka kanosur me fjalë të ndryshme, gjithashtu ushtron edhe dhunë, ashtu që e kap për kyçi të dorës, duke i shkaktuar edhe lëndime trupore”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Tutje thuhet se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit ndaj të dyshuarit.

“Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi që caktimi i masave tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin normal të procedurës penale dhe për të parandaluar ndikimin tek e dëmtuara apo përsëritja e veprës penale”, përfundon njoftimi i Gjykatës se Gjilanit.