Paraburgim dy serbëve që dyshohet se ushtruan presion për ta votuar 'Listën Serbe'

Gjykata e Gjilanit i ka caktuar 30 ditë paraburgim dy personave të cilët po dyshohet se kanë ushtruar presion tek disa qytetar që në këto zgjedhje të votojnë për Listën Serbe.

Sipas Prokurorisë së Gjilanit Zh. D. dhe V. B., dyshohen se me datë 26 dhe 27 shtator 2019, në vazhdimësi kanë ushtruar presion dhe kanë kanosur të dëmtuarit O. K., S. K. dhe J. K., që në zgjedhjet që pritet të mbahen të dielën të përkrahin dhe votojnë partinë Lista Serbe.

“Me këto veprime të pandehurit dyshohen të kenë kryer veprën penale ‘’cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve” vepër e sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në komunikatën për media të Gjykatës së Gjilanit.

Sipas komunikatës për media të Gjykatës së Gjilanit thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve, pasi që masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin normal të procedurës penale.