Krahasimet e ministrit Rakiq dhe thirrja për ndihmë nga Serbia, njohësit e ligjit tregojnë a është vepër penale

“President, gjeneral, ministri, nga ju sot presim përgjigje konkrete, a mundeni apo nuk mundeni të na ndihmoni, a dëshironi apo nuk dëshironi të na ndihmoni. Kjo na intereson”, ishte vetëm një pjesë e fjalimit të kryetarit të Listës Serbe dhe ministrit në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiq, në takimin i cili u mbajt dje në Rashkë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas ndërhyrjes së Policisë së Kosovës në disa zona të vendit në një aksion kundër kontrabandës.

Ministri Rakiq në takim po i shpjegonte situatën presidentit Vuçiq ndërsa kërkoi përgjigje nga gjeneralët e ushtrisë serbe të cilët ishin pjesëmarrës nëse mund ta ndihmojë popullin serb në veri të Kosovës.

“Pra nëse edhe një herë diçka e tillë mund të ndodhë, të jeni të bindur dhe besoni se ne do të mbrohemi me gjithçka që kemi, ama me gjithçka, deri në fund. Po ju përsëris, nëse eventualisht ndodh edhe një herë diçka e tillë, edhe unë edhe Lista Serbe do të shkojmë deri në fund”, kishte thënë Rakiq në takim.

Para këtij takimi Rakiq në një prononcim për Pink ka thënë se aksioni në veri ishte ‘Nata e kristaltë’, dhe nuk mund të durojnë më, andaj edhe do të kërkojë që Vuçiqi të jetë i sinqertë me ta.

“Ne nuk mund dhe nuk do ta tolerojmë më këtë. Dhe kjo ishte ‘Nata e kristaltë’ për ne, ky është takimi më i rëndësishëm për ne deri më tani. Kjo ishte pika e fundit”, tha Rakiq para takimit me Vuçiqin në Rashkë.

Kjo deklaratë e Rakiqit u komentua edhe nga ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, i cili tha se krahasimi i aksionit të djeshëm i Policisë së Kosovës në veri kundër kontrabandës së mallrave me “Natën e Kristaltë” është i papranueshëm.

Deklarata e Rakiqit po kalon në heshtje nga ekzekutivi kosovar pasi të njëjtit deri më tani nuk janë deklaruar e as përgjigjur në lidhje me pyetjet e KALLXO.com për veprimet që do të ndërmarrin për këtë çështje.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese dhe profesori i së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Hasani, në një prononcim për KALLXO.com e cilëson deklaratën e Rakiqit të papërgjegjshme dhe abuzim me lirinë e shprehjes.

“Nuk ka asnjë krahasim në mes të hebrenjve dhe persekutimit të tyre brutal nazist dhe serbëve lokalë të Kosovës. Rakiq duhet të dijë se nëse ka hebrenj në Kosovë, në kuptim të metaforës për gjenocid dhe persekutim brutal, atëherë ata janë shqiptarët. Vetëm fëmijë të nënave shqiptare në luftën e fundit në Kosovë janë vrarë mbi 1,300 dhe kryesisht për 78 ditë të bombardimebve të NATO-s. Tash llogariteni sa do ishin vrarë sikur mos të ishte ndërhyrja ushtarake e NATO-s që ndaloi gjenocidin në progres në Kosovë”, tha Hasani.

Ai shtoi edhe se dërgimi i Policisë në veri të Kosovës për zbatim të ligjit nuk ka lidhje me zbatim të ligjeve raciste.

“Ne duhet vazhdimisht të mbajmë shënim dhe t’ua tregojmë serbëve në Beograd dhe atyre që përfaqësojnë politikën zyrtare serbe në Kosovë se dhuna shtetërore që është bërë ndaj shqiptarëve ka të gjitha tiparet fenomenologjike të krimit të gjenocidit”, shton tutje ish- kryetari i Gjykatës Kushtetuese.

Hasani pretendon se Rakiq me këto deklarata vetëm ka shprehur mendimin e lirë dhe nuk ka prodhuar asgjë pasojë penale në terren.

“Unë mendoj se institucionet e Kosovës duhet të injorojnë deklarata e tilla të zotit Rakiq dhe të kujtdo dhe të fokusohen në kryerjen e punëve të përditshme. Zoti Rakiq dhe Lista Srpska janë në Qeveri sepse është urdhër kushtetues, ashtu që ata duhet të trajtohen si kategori kushtetuese, si çdo formacion tjetër politik kosovar, dhe të mos viktimizojnë asnjë anëtar të tyre pa nevojë. Kur fjala prodhon vepër penale konkrete, atëherë është tjetër gjë. Tani për tani është vetëm liri e mendimit dhe duhet parë si të tillë dhe çdo veprim ndryshe është gabim i rëndë nga ana jonë”, përfundon Enver Hasani.

Për dallim nga Enver Hasani, ish- Kryetari i Gjykatës Supreme dhe profesori i çështjeve penale Fejzullah Hasani thotë se Rakiq mund të ketë kryer vepër penale që parashihet me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

“Deklarata e tij, ajo që i është referuar “Natës së Kristaltë” ajo mund të jetë është vepër penale nxitje e urrejtjes, përçarjes, mosdurimit racor, etnik, fetar pra është një lloj që mund të hyjë në atë zonë, patjetër që ato thirrje të tilla kanë dimensionin penal ndërsa unë po i referohem vetëm aspektit penal pa u lëshuar në politikë. Për mua edhe kjo që një ministër thërret dikë që të intervenojë duhet me pa te veprat penale kundër rendit kushtetues, duhet me pa në cilën normë bjen ndesh e cila çrregullon çështjen e sigurisë së Kosovës në kapitullin e parë të rrezikshmërisë dhe aty me siguri se do të duhej veprimi i tij që të mbulohet me një nga ato normat”, tha Fejzullah Hasani.

Kodi Penal sipas Fejzullah Hasanit parasheh në saktësi se në çfarë cilësie mund të ndiqesh penalisht në rast të deklarimeve të tilla.

“Po kjo ‘Nata e Kristaltë’ referimi është nxitje e urrejtjes, mosdurimit veçmas aty thotë (Kodi Penal) nëse e bën personi zyrtar, merr karakter rëndues nëse e bën në tubime publike ku mund të krijojë shqetësim të opinionit”, shton Hasani.

“Për mua patjetër në këto deklarime publike, Prokuroria Speciale duhet menjëherë të vihet në lëvizje me pa se veprimet e tij deri ku kanë mbërri në kuptimin se a janë futur në zonën penale për të cilën do duhej të ndiqej penalisht”, shton ish- kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime edhe nga ana e Prokurorisë Speciale nëse kanë ndërmarrë ndonjë veprim deri më tani.

Të njëjtit deri në publikim të këtij shkrimi nuk kanë kthyer përgjigje.

Bekim Blakaj, drejtor i Fondit për të Drejtën Humanitare, tha se krahasimi që ka përdorur Rakiq për aksionin në veri është i papranueshëm.

“Nuk ka mundësi kurrqysh aksioni i Policisë në veri me u krahasu me Natën e Kristaltë, sepse target nuk kanë qenë në asnjë mënyrë civilët. Normalisht që është e papranueshme me kërku ndihmë prej forcave çfarëdo qofshin ato të Serbisë, ne e mbajmë mend kur kanë qenë herën e fundit në Kosovë çka ka ndodhur, kështu që kjo është krejtësisht e papranueshme”, tha Blakaj për KALLXO.com.

Kristallnacht, apo “Nata e Kristaltë” e quajtur edhe Nata e Xhamit të Thyer ose Pogromet e Nëntorit, nata e 9-10 nëntorit 1938, ishte kur nazistët gjermanë sulmuan hebrenjtë dhe pronat e tyre. Emri “Kristallnacht” i referohet ironikisht mbeturinave të xhamit të thyer të lënë në rrugë pas këtyre pogromeve.

E gjitha kishte nisur pas të shtënave në Paris më 7 nëntor ndaj diplomatit gjerman Ernst vom Rath nga një student polako- hebre.

Pas marrjes së informacioneve u organizua një tubim i madh i ushtarëve të vjetër të cilët kërkuan hakmarrje me anë të trazirave të dhunshme të organizuara në atë kohë e të cilat u shfaqën si “demonstrata spontane” .

Në dy ditë e natë, më shumë se 1 mijë sinagoga u dogjën ose u dëmtuan. Protestuesit plaçkitën rreth 7 mijë e 500 biznese të hebrenjve, vranë të paktën 91 hebrenj dhe vandalizuan spitalet, shtëpitë, shkollat ​​dhe varrezat e hebrenjve.

Në atë kohë rreth 30 mijë djem e burra u arrestuan ndërsa u dërguan në kampet e përqendrimit.

Pasi trazirat përfunduan, e gjithë kjo mori një emër “Kristallnacht” apo “Nata e Kristaltë”, i cili simbolizoi shkatërrimin përfundimtar të ekzistencës hebraike në Gjermani.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me ministrin aktual Goran Rakiq por që i njëjti deri në publikim të këtij shkrimi nuk ka kthyer ndonjë përgjigje në lidhje me pretendimet se i njëjti mund të ndiqet penalisht për deklaratat e tij.

Mbetje të mjeteve piroteknike, shok-bombave, vetura të dëmtuara e barrikadat e vendosura në mes të rrugës në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicën e Veriut u panë rrugëve pas aksionit policor të ditës së djeshme.

Që nga mëngjesi Policia dhe Dogana e Kosovës kishin ndërmarrë operacion kundër kontrabandës së mallrave në Prishtinë, Pejë, Mitrovicë të Jugut dhe Mitrovicë të Veriut.

Në Mitrovicë të Veriut njësitë e Policisë dhe të Doganës janë përballur me protesta të dhunshme të banorëve serbë.

Në këto incidente ka pasur të lënduar e të plagosur edhe në radhët e Policisë edhe të protestuesve. Gjatë këtyre incidenteve janë përdorur mjete të forta kundër policëve si dhe janë dëgjuar të shtëna armësh e shpërthime granatash.

Policia e Kosovës po kërkon dhjetë persona nën dyshimin për kontrabandë me mallëra.

Policë të njësive speciale janë lënduar nga shpërthimi i granatave të dorës të cilat janë hedhur nga qytetarët serbë në orët e hershme të mëngjesit të djeshëm. Ata kundërshtonin aksionin kundër kontrabandës.

Përveç zyrtarëve policorë janë sulmuar edhe gazetarë, kameraman e fotoreporter të mediumeve të ndryshme në Kosovë.

Një ngjarje e tillë i ka ndodhur edhe ekipit të KALLXO.com rrugës për në Zveçan, ku një turmë qytetarësh kanë hedhur mjete piroteknike e edhe mollotov në drejtim të veturës së gazetarëve.

Në Lagjen e Boshnjakëve në afërsi të Shkollës Teknike qytetarët serbë kanë hedhur më shumë se tri herë mjete piroteknike, shok-bomba e mollotov në drejtim të gazetarëve duke u munduar qe të pengojnë raportimin për situatën e krijuar dje në veri të Kosovës.

VIDEO – Situatë e qetë në veri, rrëmuja e barrikadat mbesin, qytetarët shpërndahen

www.kallxo.com