Rrahim Hashimi - Foto: KALLXO.com

Një muaj nga dënimi i Rrahim Hashimit e Kadri Rexhepit, palët ende s’e kanë pranuar aktgjykimin me shkrim

Një muaj ka kaluar që nga shpallja e aktgjykimit në rastin e Rrahim Hashimit dhe Kadri Rexhepit, të akuzuar për mashtrim në bashkëkryerje.

Gjykata e Prishtinës më 26 shkurt 2020 i ka dënuar Kadri Rexhepin dhe Rrahim Hashimin pasi i ka gjetur fajtorë në akuzat për mashtrim të Faton Dalladakut lidhur me ndërtimin e një spitali në Prishtinë.

Rrahim Hashimi është dënuar me 3 vjet e 9 muaj burgim, ndërsa Kadri Rexhepi me 3 vjet burgim.

Nga data 26 shkurt 2020 kur është shpallur aktgjykimi e deri më 26 mars 2020 ka kaluar plot një muaj dhe të akuzuarit nuk kanë pranuar vendimin nga Gjykata.

Lajmin për KALLXO.com, e kanë konfirmuar edhe mbrojtësit e të akuzuarve Hashimi dhe Rexhepi, avokatët Asdren Saramati dhe Admir Salihu, të cilët janë në pritje të një vendimi të tillë për të ushtruar ankesë ndaj të njëjtit.

Mbrojtësi i të akuzuarit Rrahim Hashimi, avokati Asdren Saramati, i kontaktuar sot nga KALLXO.com, nëse kishte pranuar aktgjykimin e Gjykatës, ka deklaruar se nuk e ka pranuar ende, as ai as klienti i tij.

“I kam shkruar gjyqtares se a e keni dorëzuar, se bash në atë kohë është bërë bllokada për shkak të coronavirusit, por ende nuk kam marrë përgjigje”, tha ai.

Avokati Saramati shtoi se është në pritje të  përgjigjes së gjyqtares Medie Bytyqi, nëse aktgjykimi është dërguar apo pritet të dërgohet.

Po ashtu, avokati tha se do të parashtrojë ankesë ndaj vendimit të Gjykatës.

Duhet theksuar se Kodi i Procedurës Penale thotë se aktgjykimi i shpallur duhet të përpilohet me shkrim brenda 15 ditëve nga shpallja e tij, kur i akuzuari gjendet në paraburgim ose i është caktuar paraburgimi, ndërsa në raste të tjera brenda tridhjetë 30 ditëve nga dita e shpalljes.

“Kur rasti është i ndërlikuar, gjyqtari i vetëm gjykues apo kryetari i trupit gjykues mund të kërkojë nga presidenti i gjykatës që të zgjas afatin për përpilimin me shkrim të aktgjykimit deri në gjashtëdhjetë (60) ditë”, thotë Kodi i Procedurës Penale.

Prokuroria e Ferizajt kishte ngritur aktakuzë në mars të vitit 2018 ndaj Rrahim Hashimit dhe Kadri Rexhepit për mashtrim.

Aktakuza thotë se prej dhjetorit të vitit 2011 e deri në korrik të vitit 2012, të akuzuarit Rrahim Hashimi dhe Kadri Rexhepi, së bashku me Ekrem Likën, i cili është në arrati, kanë mashtruar tani të dëmtuarin Faton Dalladaku duke u prezantuar si njerëz të afër të Kadri Veselit dhe Xhavit Halilit përmes Kadri Rexhepit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, qëllimi i prezantimit të rremë i të akuzuarve si të afërt me Kadri Veselin dhe Xhavit Halitin ishte ndërmjetësimi për blerjen e Qendrës Kardiake nga tani i dëmtuari Faton Dalladaku, duke e shtyrë atë që të veprojë në dëm të pasurisë së tij.

Aktakuza thotë se atij i është paraqitur një certifikatë e pakompletuar e biznesit në të cilën rezultonte se Rrahim Hashimi dhe Ekrem Lluka ishin pronarë të Qendrës për Kardiologji duke i paraqitur një kontratë në të cilën rezulton se Rrahim Hashimi ishte pronar i 20 % të aksioneve në këtë qendër ndërsa Ekrem Lluka pronar i 80 % të aksioneve. Pasi tani i dëmtuari Faton Dalladaku ishte i bindur se ata dy janë pronarë të Qendrës për Kardiologji ka nënshkruar kontratën për blerjen e kësaj Qendre në shumë prej 290,810.00 euro

Ky proces gjyqësor është gjykuar nga gjyqtarja e vetme gjykuese, Medie Bytyqi, pranë Departamentit të Përgjithshëm, Divizioni Penal.

Ndërsa aktakuzën e përfaqëson prokurorja e shtetit, Rukije Sheshivari.