Momenti kur policia zbulon kafenenë ku luhej bixhoz ilegal

Në emisionin e sotëm në “Drejtësia në Kosovë” u transmetuan pamje ekskluzive të aksionit të Prokurorisë së Gjilanit në bashkëpunim me policinë për mbylljen e bastoreve ilegale dhe kafe-bareve në të cilat luhej bixhoz.

Bashkëpunimi me një lojtarë të bixhozit në Viti ka rezultuar me sukses për ekipin e KALLXO.com.

Ekipet tona kanë arritur që duke përdorur kamera të fshehta të dokumentojnë se në Komunën e Vitisë, po luhen kundërligjshëm lojëra të fatit.

Lokali nga jashtë duket si kafe bar, ndërsa brenda tij luhej bixhoz.

Pamjet shfaqin edhe momentin kur punonjësi i lokalit mbush 10 euro në TV, të cilat përdoren për të luajtur bixhoz ilegal.

Në këtë lokacion u vërejt një skemë tjetër e bixhozit. Aty u pa se kompjuterët e makinave të “sllot” të cilat ishin përdorur më parë dhe njiheshin si aparatet e kazinove, janë lidhur me televizorë.

Loja zhvillohet duke paguar paratë tek menaxherët e lokaleve ndërsa lojtari ka në dorë vetëm një maus.

Qindra pajisje të tilla besohet të jenë adaptuar në këtë formë ndërsa ekipi ka hasur në të paktën 3 lokacione, ku duke përdorur kamerat e fshehura i ka filmuar.

Pajisjet janë vështirë të identifikueshme për Policinë pasi me një click mund të ndërrohet programi dhe mund të shfaqet pamje krejt tjetër nga ato të bixhozit.

Këto pamje ekipet tona i kanë dorëzuar në Prokurorinë e Gjilanit, e të cilat më pas kanë rezultuar me arrestimin e pesë personave në rajonin e Vitisë.

Emisionin e plotë “Krimi me baste 2 “, mund ta ndiqni në këtë link.

Një javë më parë, “Drejtësia në Kosovë” shfaqi emisionin “Krimi me Baste”, në të cilin ishin bastisur nëntë lokacione në të cilat po zhvillohej veprimatria e lojërave të fatit.