Mbahet seanca ndaj të akuzuarve për vrasjen e vitit 2016 në Podujevë

 

 

Sadat dhe Fejard Llugaliu, të akuzuar për vrasjen e Fahri Bunjakut në vitin 2016-të në Podujevë, janë ulur në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prishtinës.

Prokurorja e rastit Besa Limani, deklaroi se nga ekspertiza e deritanishme nuk është cekur se profili i ADN-së së Sadat dhe Fejard Llugaliut, nuk përputhet me njollat e gjakut të gjetura në ato mjete të forta.

Ajo poashtu propozoi, që të bëhet rinkonstruimi i vendit të ngjarjes.

“Propozoj që të bëhet rinkonstruimi i vendit të ngjarjes”, tha prokurorja Limani.

Mbrojtja e babait të të ndjerit Bunjaku, avokati Ahmet Tahiri tha se njollat e gjetura sipas ekspertizës i përkasin të ndjerit Fahri Bunjaku.

“Sa i përket ekspertizës që nuk janë gjetë njolla gjaku të të akuzuarve, ai gjak sipas ekspertizës përputhet me gjakun e të ndjerit Fahri Bunjaku”, tha ai.

I njëjti i propozoi Gjykatës, që të kërkohet hartografia për numrat e telefonave të të akuzuarve, për ditën kritike.

Mbrojtja e të akuzuarit Fejard Llugaliu, avokati Skender Musa, tha se provat e paraqitura e përjashtojnë të mbrojturin e tij nga vendi i ngjarjes.

“Provat e paraqitura nga Prokuroria e përjashtojnë të mbrojturin tim nga vendi i ngjarjes. Si prova të rëndësishme për këtë çështje penale, dua të potencoj ekspertizën e ADN-së të datës 30 qershor 2016, e cila në mënyrë të saktë ka përjashtuar të mbrojturin tim nga vendngjarja”, tha avokati Musa.

Gjykata refuzoi kërkesën e avokatit Ahmet Tahiri, që të shikohen kamerat për ditën kritike.

Kjo vrasje kishte ndodhur në shkurt të vitit 2016, ndërsa pretendohet se asaj i ka paraprirë një konflikt rreth shitblerjes së kafshëve.

Prokuroria Themelore në Prishtinë i akuzon Esat Llugaliun, Sadat Llugaliun dhe Fejard Llugaliun se së bashku kanë kryer veprat penale vrasje e rëndë dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar i armëve.

Sipas Prokurorisë, pasi me dashje që ta vrasin tani të ndjerin Fahri Bunjaku, për shkak të një konflikti të mëparshëm që kishin rreth biznesit – shitblerjes së kafshëve me shumicë, i kanë dalë në pritë dhe kanë shtënë në drejtim të tij.

Sipas aktakuzës, Bunjaku duke tentuar të largohej nga vendi ku i kishin zënë pritë, në vetëmbrojtje plagosi Esat Llugaliun, ndërsa të pandehurit e tjerë Sadat dhe Fejard Llugaliu e ndoqën nga pas duke shtënë në drejtim të tij dhe pastaj duke e goditur me shkopinj druri.

Nga plagët e marra Bunjaku kishte vdekur në QKUK, thuhet në aktakuzën e prokurorisë së Prishtinës.

Ky rast është kthyer në rigjykim nga Apeli.

Kurse sipas vendimit të shpallur nga gjykata e shkallës së parë i akuzuari Sedat Llugaliu, për veprën penale “vrasja e rëndë”, ishte  dënuar me 18 vite burgim efektiv.

Ai ishte gjetur fajtor për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, për të cilën vepër ishte dënuar vëllai i tij, Fejard Llugaliu, me burgim efektiv 3 vite e 6 muaj.

Ndërsa për veprën penale “vrasja e rëndë”, i akuzuari Fejard Llugaliu është liruar nga akuza, pasi që sipas trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtarja Valbona Musliu- Selimaj, nuk ishte arritur të vërtetohet se i njëjti është kryerës i kësaj vepre penale.

Seanca e radhës u caktua për datën 26 janar, në ora 10:30.

 

Shtyhet sërish seanca e rigjykimit për vrasjen e vitit 2016 në Podujevë