Shtyhet sërish seanca e rigjykimit për vrasjen e vitit 2016 në Podujevë

Është shtyrë sërish seanca e rigjykimit në rastin ku të akuzuar janë Sadat e Fejard Llugaliu për vrasjen e Fahri Bunjakut.

Seanca është shtyrë për shkak të mungesës së prokurores së shtetit, Besa Limani. E njejta ka njoftuar Gjykatën se është e sëmurë.

Kjo ngjarje kishte ndodhur në shkurt të vitit 2016, ndërsa pretendohet se asaj i ka paraprirë një konflikt rreth shitblerjes së kafshëve.

Prokuroria Themelore në Prishtinë i akuzon Esat Llugaliun, Sadat Llugaliun dhe Fejard Llugaliun se së bashku kanë kryer veprat penale vrasje e rëndë dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar i armëve.

Pasi me dashje që ta vrasin tani të ndjerin Fahri Bunjaku, për shkak të një konflikti të mëparshëm që kishin rreth biznesit – shitblerjes së kafshëve me shumicë, i kanë dalë në pritë dhe kanë shtënë në drejtim të tij.

Sipas aktakuzës, Bunjaku duke tentuar të largohej nga vendi ku i kishin zënë pritë, në vetëmbrojtje plagosi Esat Llugaliun, ndërsa të pandehurit e tjerë Sadat dhe Fejard Llugaliu e ndoqën nga pas duke shtënë në drejtim të tij dhe pastaj duke e goditur me shkopinj druri.

Nga plagët e marra Bunjaku vdiq në QKUK, thuhet në aktakuzën e prokurorisë në Prishtinë.

Ky rast është kthyer në rigjykim nga gjykata e shkallës së dytë, ajo e Apelit.

Kurse sipas vendimit të shpallur nga gjykata e shkallës së parë i akuzuari Sedat Llugaliu, për veprën penale “vrasja e rëndë”, ishte  dënuar me 18 vite burgim efektiv.

Ai ishte gjetur fajtor për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, për të cilën vepër ishte dënuar vëllai i tij, Fejard Llugaliu, me burgim efektiv 3 vite e 6 muaj.

Ndërsa për veprën penale “vrasja e rëndë”, i akuzuari Fejard Llugaliu është liruar nga akuza, pasi që sipas trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtarja Valbona Musliu-Selimaj, nuk ishte arritur të vërtetohet se i njëjti është kryerës i kësaj vepre penale.

Seanca është shtyrë për datën 13 janar, në ora 9:00.