Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Konkursi për anëtarë të bordit në Trafikun Urban, mbahet seanca lidhur me masën së sigurisë

 

 

Në Gjykatën e Prishtinës është mbajtur seanca për rastin në të cilin kandidati që kishte aplikuar për  konkursin për bord të drejtorëve në ndërmarrjen publike lokale “Trafiku Urban”, Genc Broqi kishte ushtruar padi ndaj vendimit të Komisionit Komunal të Aksionarëve të kësaj ndërmarrjeje.

Në seancën e sotme avokati i Broqit, Urim Vokshi tha se paditësi nuk është njoftuar për këtë konkurs dhe më vonë ka kuptuar se Kuvendi Komunal i Aksionarëve ka anuluar konkursin me arsyetimin se nuk kishte kandidat të gjinisë femërore me kualifikim dhe përgatitje profesionale, siç e kërkonte dispozita e Ligjit për ndërmarrje publike lidhur me zbatimin e Ligjit për barazi gjinore.

“Megjithatë kjo ishte vetëm një arsye për anulimin e konkursit, pasi që me 1 mars 2021 Kuvendi Komunal i Aksionarëve emëron 4 anëtarë të bordit të ndërmarrjes publike lokale “Trafiku Urban” dhe atë pa hapur konkurs publik dhe pa zhvilluar procedurë publike të konkurimit”, deklaroi avokati Vokshi.

“Vlerësojmë se emërimi i anëtarëve të bordit në këtë mënyrë, është në kundërshtim me Ligjin për ndërmarrje publike si dhe me Ligjin e punës. Në këtë drejtim theksojmë se objekti i kërkesëpadisë së paditësit është anulimi i vendimi të kuvendit të aksionarëve, të ndërmarrjes “Trafiku Urban”, lidhur me emërimin e anëtarëve të bordit, i nxjerrë me datë 1 mars 2021”, shtoi Vokshi.

Tutje Vokshi tha se paditësi, ka bërë kërkesë për caktimin e masës së sigurisë dhe nëse nuk aprovohet masa e sigurisë, paditësit do i pamundësohej realizimi i kërkesës së tij, e kjo për faktin se mandati i anëtarëve të bordit të ndërmarrjes publike është 3 vjeçar.

Ndërsa avokati i të paditurës, Jeton Idrizi ka thënë se paditësi s’ka asnjë bazë të vlefshme për anulimin e vendimit të kontestuar dhe se arsyet e dhëna si në padi, janë të përgjithshme dhe përshkrim të dispozitave ligjore pa dhënë asnjë arsye konkrete.

“Sa i përket vendimit anulimi i të cilit kërkohet, siç shihet dhe në hyrjen e tij, i njëjti është nxjerrë konform nenit 16 të Ligjit për ndërmarrje publike, ku është përcaktuar saktë se bordi i drejtorëve të një ndërmarrje publike lokale, zgjidhet në një mbledhje të aksionarëve, në përputhje me Ligjin për shoqëritë tregtare dhe secili ka mandatin prej 3 viteve”, tha avokati Idrizi.

I njëjti i propozoi Gjykatës që kërkesën për caktimin e masës së sigurisë, ta refuzojë në tërësi si të pabazuar.

Sipas padisë, paditësi Genc Broqi ka bërë padi ndaj vendimit të Komisionit Komunal të Aksionarëve të Ndërmarrjes Publike Lokale “Trafiku Urban” Prishtinë, mbi caktimin e bordit të drejtorëve.

Paditësi pretendon se aksionarët përmes veprimeve të tyre, kanë bërë shkelje gjatë përzgjedhjes së anëtarëve, duke mos i respektuar procedurat e përzgjedhjes së bordit dhe se me këto veprime nuk janë cenuar vetëm të drejtat e tij mirëpo të të gjithë kandidatëve të cilët kanë aplikuar në konkurs.

Më tej ceket se ky konkurs është shpallur më 12 gusht 2020 dhe mundësia e aplikimit ka qenë deri më 27 gusht 2020.

Sipas padisë, paditësi ka aplikuar në këtë konkurs, pasi ka qenë dhe anëtar i përzgjedhur edhe në mandat nga data 27 korrik 2017 e deri më 27 korrik 2020 si anëtar i bordit, ku në këtë pozitë ka qenë i përzgjedhur nga komisioni i aksionarëve sipas konkursit të shpallur në atë kohë.

Paditësi pretendon se i ka plotësuar të gjitha kriteret për këtë konkurs, ku ka aplikuar për t’u rizgjedhur anëtar i bordit të lartëcekur dhe se nuk është ftuar e njoftuar për asnjë proces të zhvilluar rreth konkursit në mënyrë zyrtare.

Tutje ai pretendon se sipas informatave që ka siguruar, asnjë procedurë nuk është zhvilluar, ndërsa sipas vendimit që ai ka siguruar më 18 shkurt 2021, komisioni i aksionarëve ka emëruar bordin e drejtorëve të NPK “Trafiku Urban”, me vendim të datës 1 mars 2021 është protokolluar dhe sipas tij pa asnjë procedurë të zhvilluar sipas ligjit.

Kujtojmë se KALLXO.com ka raportuar për emërimin e bordit të Trafikut Urban, me mandat 3 vjeçar pa konkurs publik.

Në gusht të vitit të kaluar, anëtarët e Komisionit Komunal të Aksionarëve të ndërmarrjes publike lokale “Trafiku Urban” hapi një konkurs për zgjedhjen e bordit të ri të drejtorëve me mandat 3-vjeçar.

Por, më 19 janar të këtij viti nxori një vendim ku anuloi konkursin, pasi nuk ishte përmbushur numri i mjaftueshëm i aplikuesve të cilët i kishin kaluar kriteret e konkursit.

Por, një muaj më pas, më 18 shkurt, komisioni i aksionarëve të kësaj ndërmarrjeje nxori një vendim të ri për emërimin e bordit të drejtorëve. Në vendim, neni 3 tregonte se bordi i drejtorëve ka mandat 3-vjeçar.

Në një intervistë për #KallxoPernime, ish-aksionari i Trafikut Urban, Adrian Berisha, e ka pranuar se emërimi i bordit të ri u bë pa një konkurs paraprak.

“Ideja ka qenë që, edhe në komunikimet që kemi pas me zyrën ligjore, bordi është i përkohshëm, dhe pastaj kemi mendu me hapë një konkurs të ri. Nëse vendimi është jo legjitim, ne presim një verdikt nga zyra ligjore edhe Trafikut Urban edhe nga Komuna e Prishtinës”, kishte thënë Adrian Berisha.