Komisioni Evropian: Kosova me 3 prokurorë heton Krimet e Luftës

 

Gjetjet e Komisionit Evropian në Raportin për Kosovën 2020, kanë theksuar se zbatimi i Strategjisë për Krimet e Luftës në Kosovë po pengohet rëndë nga çështjet politike, mungesa e burimeve dhe bashkëpunimit ndërkombëtar dhe rajonal.

Komisioni ka vlerësuar se nga miratimi i Strategjisë për Krimet e Luftës në shkurt të 2018, Policia e Kosovës ka arrestuar 7 persona të dyshuar për krime lufte.

Aktakuza e parë nga Prokuroria Speciale ishte ngritur në maj të 2019, ndërsa dënimi i parë për krime lufte u dha nga Gjykata  e Prizrenit, që nga përfundimi i mandatit të EULEX-it.

Por për Komisionin Evropian mbetet shqetësuese mos gatishmëria për të hetuar, ndjekur penalisht dhe gjykuar ish pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të përfshirë në krimet e luftës.

Komisioni ka gjetur se Zyra e Prokurorisë Speciale që merret me krimet e luftës përballet me sfida të shumta e njëra ndër to është edhe mungesa e prokurorvë dhe stafit mbështetës.

Departamenti për Krime Lufte i Prokrurorisë Speciale ka vetëm nga 3 prokurorë që merren me çështje lufte.

Sfida e dytë për Prokurorinë Speciale në hetimin e krimeve të luftës qëndron edhe në bashkëpunimin shumë të kufizuar me Serbinë.

KE, parasheh nevojën e rritjes së numrit të prokurorëve, stafit mbështetës si dhe trajnimet që duhet ndjekur prokurorët rreth krimeve të luftës.

Komisioni ka konstatuar se Policia e Kosovës ka paraqitur reforma që do të shënojnë progres në këtë fushë.

Reformat e Policisë përfshijnë krijimin e një databaze me të dhënat elektronike të Krimeve të Luftës si dhe themelimi i Njësisë për Hetimin e Krimeve të Luftës si njësi e veçantë në Policinë e Kosovës do të ndikonte në menaxhimin, analizimin dhe ndërtimin e çështjeve që përbëjnë krime lufte.

Lidhur me problemet, mungesën e vullnetit për të punuar në zbardhjen e Krimeve të Luftës, ka ngritur shqetësimin edhe Kreshnik Gashi, autor i Emisionit Drejtësia në Kosovë.

Gashi, në maj të këtij viti kishte deklaruar se problemi i Këshillit Prokurorial të Kosovës është se nuk ka caktuar me prioritet zbardhjen e çështjeve të krimeve të luftës.

Kjo për shkak se Prokuroria pret që rastet të shkojnë në Prokurori për t’i zgjidhur, ka thënë ndër të tjerë Gashi.

Ndër të tjera Gashi, ka rekomanduar që duhet të caktohen më shumë se 20 prokurorë pasi që pritet të jenë mbi 10 mijë çështje të kësaj natyre.

Ndërsa sa i përket Policisë së Kosovës, Gashi ka dekalruar se vetëm 4 nga 22 policë që janë caktuar për për t`u marrë me krimet e luftës gjatë pandemisë kanë punuar në këtë drejtim, ndërsa 18 policië të tjerë janë obliguar të dalin për drejtimin e trafikut dhe sigurimin e masave të pandemisë.

Gashi, ka kritikuar autoritetet se nuk kanë shfryztëzuar në mënyrë racionale kohën gjatë pandemisë për t`u marrë me shikimin e shkresave, parashtrimin e kërkesave, lëshimin e flet-arresteve ndaj perosnave të dyshuar për krime lufte.

Kjo është arsyeja që sipas Gashit, Kosova kalon vitin vetëm me 2-3 aktakuza për krime lufte. Andaj propozimet e BIRN-it lidhur me zbardhjen, hetimin dhe ndjekjen e krimeve të luftës janë:

Këshilli Prokurorial i Kosovës duhet të listojë me prioritet rastet penale të krimeve të luftës.

Numri i prokurorëve që merret me krimet e luftës duhet të rritet mbi 20 prokurorë.

Prokurorët e caktuar në Departamentin e Krimeve të Luftës duhet të ndjekin trajnimet sistematike dhe të specializohen në këtë fushë.

Prokurorët e caktuar në këtë Departament duhet të lirohen nga rastet e tjera që nuk janë të natyrës së krimeve të luftës.