I akuzuari Darko Tasiq (me maskë) - Foto: KALLXO.com

I dënuar me 22 vjet burg për krime lufte në Krushë, Darko Tasiq dërgohet në Burgun e Sigurisë së Lartë

I dënuar me 22 vjet burgim për krime lufte ndaj civilëve shqiptarë në Krushë të Vogël, Darko Tasiq nga Gjykata e Prizrenit është dërguar në Burgun e Sigurisë së Lartë që gjendet në Dyz të Podujevës.

Transporti i Tasiqit drejt Burgut është bërë pa ndonjë problem.

Kështu ka thënë për KALLXO.com zëdhënësi i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Florent Gashi.

“Njësiti për përcjelljen e të burgosurve, nën shoqërimin e dy patrullave të Policisë së Kosovës ka kthyer në Burgun e Sigurisë së Lartë në ora 16:25 të burgosurin D.T. Rrugëtimi nga Prizreni në BSL ka shkuar në rregull”, ka thënë Gashi për KALLXO.com.

Gjatë ditës së sotme KALLXO.com raportoi se menjëherë pasi Gjykata e Prizreni gjeti Darko Tasiqin fajtor për akuzat për krime lufte, derisa Njësiti për transportin e të burgosurve po e dërgonte të akuzuarin në veturë për ta transferuar në Burgun e Sigurisë së Lartë, disa persona kishin hyrë në oborrin e Policisë dhe kishin goditur veturën me të cilën do të transportohej i akuzuari.

Për sulmin kishte reaguar edhe Shërbimi Korrektues i Kosovës gjatë ditës së sotme.

Darko Tasiq u shpall fajtor për të dy pikat e aktakuzës që ngarkonin atë për vepra penale të krimeve të luftës.

Sipas pikës një të aktakuzës, Darko Tasiq në mes të datave 15-26 mars të vitit 1999, në Krushë të Vogël, në cilësinë e tij si pjesëtar i forcave rezervë të Policisë të Republikës Federative të Jugosllavisë apo forcave paraushtarake serbe, në bashkëkryerje me persona tjerë, identiteti i të cilëve nuk është arritur të përcaktohet, mori pjesë në konfiskim të pasurisë, plaçkitje, shkatërrim të paligjshëm dhe të qëllimshëm të pasurisë (djegien e shtëpive) që nuk justifikohej me nevojat ushtarake.

Ai akuzohet edhe se mori automjetet dhe makinerinë bujqësore dhe sende të tjera me vlerë që i përkisnin Kasum Hajdarit dhe fshatarëve të tjerë përreth.

Ndërsa sipas pikës dy të aktakuzës Darko Tasiq po ngarkohet edhe me veprime të tjera si pjesëmarrje në përdhosjen e trupave të pajetë të personave të paidentifikuar, duke i djegur ato dhe duke i hedhur në lumin Drin.

Familjarë të viktimave nga Krusha e Vogël e Prizrenit kanë protestuar disa herë para kësaj Gjykate duke kërkuar dënimin e kriminelëve të luftës.