Kreshnik Gashi: Në Prokurorinë e Shtetit nuk ka vullnet për t'u trajtuar krimet e luftës

Autori i emisionit ‘Drejtësia në Kosovë’, Kreshnik Gashi, ka thënë se Prokuroria e Shtetit dhe Këshilli Prokurorial nuk kanë vullnet për t’i trajtuar krimet e luftës në Kosovë.

Në emisionin ‘Jeta në Kosovë’, Gashi tha se kjo ndodh për shkak se Prokuroria e ndjek strategjinë që i pret rastet të shkojnë në prokurori dhe pastaj fillojnë t’i trajtojnë.

“Unë mendoj që fillimisht Këshilli Prokurorial është dashtë me e paraqitë si prioritet këtë temë, gjithashtu edhe Prokuroria e Shtetit dhe me hapë për çdo rast të krimeve të luftës një dosje në Prokurori, edhe tutje me iu dhënë prioritet. Nuk është veç me i caktu tre prokurorë, por duhet me e rritë numrin e prokurorëve, që merren me krime të luftës, ndoshta me e çu deri te numri 20, për shkak se pritet me qenë mbi 10 mijë lëndë që ish dashtë me u trajtu, të kësaj natyre”, ka thënë Gashi.

Ai ka thënë se problemi kryesor i Prokurorisë është se nuk janë duke mbledhur prova edhe tash, që të argumentohen, e pastaj të vazhdohet me lëshimin  e flet-arresteve. Sipas tij, në Prokurori janë vetëm një apo dy njerëz që duan ta trajtojnë këtë temë.

“Në Policinë e Kosovës janë 22 policë që janë caktu për me i trajtu këtë lëndë. Në anën tjetër, 3 muaj prej kur ka nisë pandemia, prej 22 policëve veç katër prej tyre janë duke u marrë me krime të luftës, ndërsa  tjerët janë caktu për me e drejtu trafikun dhe me u marrë me masat e pandemisë.  Kjo na tregon se në shtetin e Kosovës nuk është prioritet hetimi i krimeve të luftës, dokumentimi i krimeve të luftës dhe si rrjedhojë, ne e kalojmë vitin me dy ose tri aktakuza të ngritura. Koha e pandemisë ka mujt me u shfrytëzy shumë për shkrimin e dokumenteve, shkrimin e kërkesave, lëshim të fletë-arrestave dhe analizim të dokumenteve’, ka thënë Gashi.

Për këto tema po diskutohet me Albulena Haxhiun, ministre e Drejtësisë, Ramadan Ahmeti – Policia e Kosovës, Adelina Tërshani, autore e teksteve si dhe koordinatore e projekteve në Rrjetin e Grave, Dijana Simiq, aktiviste që punon me viktimat e dhunës dhe Kreshnik Gashi, autor i emisionit “Drejtësia në Kosovë” .