Rrëfimi i Pejanit: Me një drekë u bëra Veteran i UÇK

Valter Gashi, i akuzuar se ka përfituar kundërligjshëm në emër të statusit të veteranit luftëtar të UÇK-së, tregoi sot para gjykatës se çka i është kërkuar në këmbim të një dokumenti të falsifikuar me qëllim të përfitimit të pagës së veteranit luftëtar.

“Një person me tha nëse don ta nxjerri dokumentin, por duhesh me ma qit një drekë”, tha i akuzuari Valter Gashi kur doli sot para gjykatës.

Gashi e pranoi veprimin inkriminues, por e kontestoi dëmin e konstatuar ne vlerë prej 3,740 euro.

Andaj Gjykata do të procedojë me shqyrtim gjyqësor për këtë rast.

Sipas aktakuzës, Valter Gashi ka vënë në lajthim organin kompetent kur pranë Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale ka prezantuar dokumentin e falsifikuar me qëllim përfitimi të pagës se statusit të veteranit luftëtar. Me këtë veprim, ai akuzohet se i kishte shkaktuar dëm Ministrisë në shumën prej 3,740 euro.

Prokuroria Speciale e Republikës se Kosovës ka deleguar për hetime të mëtutjeshme Prokurorisë se Pejës mbi 7,000 aplikacione nga “Dosja e Veteranëve të Rrejshëm”.

Sipas të dhënave qe ka siguruar KALLXO.com deri më tani Prokuroria e Pejës ka ngritur 39 aktakuza lidhur me këtë dosje.

https://kallxo.com/shkurt/hetimet-per-veteranet-e-rrejshem-prokuroria-e-pejes-akuzoi-21-persona-deri-me-tani-video/

Më herët gjatë ditës, Gjykata e Pejës e ka dënuar Ragip Gashin i cili akuzohej se ka prezantuar dokumente të falsifikuara për të përfituar kundërligjshëm në emër të statusit të veteranit luftëtar të UÇK-së.

Të akuzuarit i është shqiptuar dënim me burgim prej 1 viti, por ky dënim nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda periudhës 2 vjeçare.

Po ashtu të akuzuarit Gashi i është shqiptuar dënimi plotësues për kompensim të dëmit në vlerë prej 1,360 euro si dhe urdhri për publikim të aktgjykimit.

Paraprakisht i akuzuari Ragip Gashi e ka pranuar fajësinë për veprimet inkriminuese të tij.

Në seancën e mbajtur sot, prokurorja e çështjes Lumturije Vuçetaj ka bërë plotësimin e aktakuzës duke propozuar qe ndaj të akuzuarit të shqiptohet dënimi plotësues, për urdhër për kompensim të dëmit dhe për publikim të aktgjykimit.

Sipas aktakuzës Ragip Gashi, ka vënë në lajthim organin kompetent kur pranë Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale ka prezantuar dokumentin e falsifikuar me qëllim përfitimi të pagës se statusit të veteranit luftëtar, ku të dëmtuarës i shkakton dëm material në shumë prej 1,360 euro.