Arkiv - Gjykata Themelore e Pejës

Vrasja e vitit 1999 në Klinë, anulohet seanca ndaj Bujar Bajraktarit

Në mungesë të anëtarëve të trupit gjykues, është anuluar seanca ndaj Bujar Bajraktari, i cili po akuzohet për vrasjen e një burri të komunitetit rom në gusht të vitit 1999.

Në përbërje të trupit gjykues për këtë çështje ka qenë Florije Zatriqi, gjykatësja e cila është suspenduar nga KGJK lidhur me hulumtimin e KALLXO.com për dhunimin e një të miture.

Në vend të gjykatës Zatriqi, nga kryetari i gjykatës në trupi gjykues është caktua një gjykatës tjetër, por qe i njëjti ka qenë i angazhuar me seanca.

Në këto rrethana seanca është shtyrë për datën 26 nëntor 2021.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Violeta Husaj- Rugova.

I akuzuari Bajraktari ishte deklaruar i pafajshëm për akuzën e prokurorisë.

Sipas aktakuzës, në gusht të vitit 1999, Bajraktari pas një fjalosjeje me të ndjerin Cenë Malisheva, e kishte goditur me shuplakë e më pas nga qerrja me kali e kishte nxjerrë një shufër druri me të cilën e kishte goditur viktimën në pjesën e pasme të kokës.

Dosja e Prokurorisë sqaron se Cenë Malisheva nga plagët e marra kishte vdekur të njëjtën ditë në Spitalin Regjional të Pejës.

Aktakuza e prokurorisë është ngritur me 7 shkurt 2020.