Lumturije Vuqetaj - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Lumturije Vuçetaj për parashkrimin e lëndëve: Ka raste kur pala nuk e di për çfarë ka ardhur në gjykatë

Lumturije Vuçetaj, prokurore në Prokurorinë e Pejës, ka thënë se rastet e krimeve seksuale nuk janë parashkruar në prokurori.

Ajo në emisionin “Kallxo Përnime” shtoi se Prokuroria qëndron mjaft mirë në mënyrën si trajtohen këto raste.

“Si prokurore e shtetit gjithnjë them se asnjë viktimë nuk duhet të heshtë për veprën penale ndaj të njëjtës pa marrë parasysh gjininë e moshën. Ne si prokurori çdo rast e trajtojmë me kujdes dhe vigjilencë duke i dhënë prioritet veprave nga ky kapitull. Kodi i procedurës penale e parasheh shumë mirë se aktvendimi për fillimin e hetimeve zgjat vetëm dy vite dhe për sa pash, asnjë rast nuk është i parashkruar në prokurori, 50 për qind të kallëzimeve  janë shqyrtuar dhe është e arsyeshme që 50 mbesin për vitin pasues. Prokuroria qëndron mjaft mirë”, ka thënë Vuçetaj.

Sipas saj, dënimi i rasteve të tilla ka qëllim që përpos dënimit të kryesit, të parandalojë vepra tjera.

“Dënimi i rasteve të krimeve seksuale ka për qëllim që përpos preventivës, kryesi të dënohet dhe tjerët të privohen nga vepra të tilla. Kjo më pas do ketë efekt pozitiv në shoqëri e besim te viktimat”, shtoi ajo.

Tutje, Vuçetaj bëri të ditur se nëse raste të tilla parashkruhen në prokurori,  prokurori duhet të jap sqarime përse ka ndodhur kjo gjë.

“Në rast se lëndë të tilla parashkruhen në prokurori, është një procedurë dhe politikë e organizmit të brendshëm që prokurori duhet të jap sqarime përse është parashkruar, në rast se ka neglizhencë, kryeprokurori dërgohet në komisione disiplinore për lëshim nga ana e prokurorit”, shtoi ajo.

Sipas saj, është e dhimbshme kur u vijnë raste që tashmë kanë krijuar familje dhe u duhet të përballen me diçka të së kaluarës.

“Në aspektin e përfaqësimit të lëndëve në gjykatë është e dhimbshme kur në raste të tilla vjen një viktimë e cila ka kriju familje dhe ndodh që ata nuk e dinë për rastin konkret, këtu ka problem për besim të palës për gjykim të drejtë”, shtoi ajo.

“Unë kam pasë raste kur pala ka harru për çfarë ka ardhur në gjykatë, tani kanë nisur me një sistem më profesional, konsideroj që përgatitja profesionale dhe angazhimi është më i madh. Ka raste kur kemi problem të sigurimit të palëve në procedurë për shkak se kanë dalë jashtë vendit, atëherë është edhe problem m’i zhvillu procedurat e gjykimit”, shtoi Vuçetaj.