Pamje ekskluzive: Prodhimi i narkotikëve në regjionin e Dukagjinit

13 lokacione të ndryshme në pesë komuna të Kosovës janë bastisur në një operacion të gjerë të Policisë dhe të Prokurorisë së Pejës kundër drogës dhe shitblerjes së armëve.

Operacioni është realizuar më 7 shtator në lokacione të ndryshme në Pejë, Klinë, Istog, Skenderaj dhe Mitrovicë.

Lokacioni i 14-të ka qenë plantacioni i drogës ku janë gjetur e sekuestruar 92 bimë kanabisi.

Po ashtu gjatë bastisjes në një shtëpi janë sekuestruar 45.6 gramë kokainë.

Pamje ekskluzive: Prodhimi i narkotikëve në regjionin e Dukagjinit

Gjatë bastisjes në vendet e tjera janë gjetur 7 armë të ndryshme, 2 Kallashnikovë, 5 revole  dhe 70 fishekë, si dhe janë sekuestruar 5 mijë e 500 euro dhe 6 telefona celularë.

Nga 12 personat e shoqëruar në Polici, 6 janë dërguar në paraburgim.

Prokurorja e rastit, Lumturije Vuçetaj, ka thënë se ky grup është duke u hetuar që disa muaj.

“Pas një hetimi disamujor dhe zbatimit të masave të fshehta të vëzhgimit e përgjimit ka ardhur deri tek ekzekutimi i urdhëresës së Gjykatës për kontroll në 13 lokacione në 5 komuna të ndryshme dhe sot presim të sigurojmë prova në bazë të dyshimit të bazuar mirë nga ana jonë” – theksoi Vuçetaj.

Bashkë me prokuroren dalin edhe njësitet e Policisë: policët e Krimeve të Rënda, policët e Anti-drogës, të shoqëruar nga policët e Njësisë Speciale dhe nisen drejt lokacioneve të ndara.

Aksioni kishte filluar në 13 lokacione në të njëjtën kohë ndërsa lokacioni i 14-të po mbahej nën vëzhgim nga hetuesit e Policisë.

Në fillim të aksionit Policia has në sendet e ndaluara.

Në një shtëpi afër Klinës hetuesit hasin në një sasi të dyshuar të kokainës dhe në një armë të shkurtër.

“Jemi në drejtim në një lokacion ku janë duke na pritur zyrtarët policorë sepse siç na njoftuan kanë hasur në disa prova dhe tash po shkojmë për me pa çka ka aty” – theksoi Vuçetaj.

Prokurorja e njofton të dyshuarin se deklarimi me kohë i sendeve të ndaluara do përdoret si rrethanë lehtësuese në Gjykatë.

I dyshuari nuk pranon të flasë dhe nuk tregon se a ka sende të tjera të ndaluar në shtëpi.

Gjatë bastisjes brenda shtëpisë gjendet një armë e po ashtu haset edhe në një sasi të dyshuar të kokainës të cilën i dyshuari nuk e kishte deklaruar e po ashtu një shumë e parave “cash”.

Bastisja vazhdon në vende të tjera.

Në një shtëpi tjetër janë gjetur disa fishekë dhe janë gjetur edhe rrobat dhe maska të cilën i dyshuari e kishte përdorur kur e kishte ujitur plantacionin e kanabisit.

Kontrolli dhe bastisjet kanë vazhduar në 13 lokacione.

Prokurorja njoftohet se janë gjetur prova për të cilat kishte nisur hetimi.

Gjatë bastisjes në vendet e tjera janë gjetur edhe 7 armë të ndryshme, 2 Kallashnikovë, 5 revole  dhe 70 fishekë.

I vetmi lokacion që nuk ishte kontrolluar deri më tani ishte një vend në një zonë malore, por Policia ishte duke e vëzhguar nga mëngjesi. Prokurorja dhe hetuesit e Policisë bashkë me dy të dyshuarit nisen për në zonën malore këmbë.

Prokurorja gjatë kësaj kohe sa ishte duke ecur ia bën disa pyetje të dyshuarit të dytë.

Dyshimet e Prokurorisë dhe Policisë dolën të jenë të bazuara.

Në lokacionin e 14-të hasen 92 bimë kanabisi. Hetuesit policorë njoftojnë prokuroren për plantacionin.

“Prokurore qysh po shihet këtu janë 92 bimë narkotike që me urdhrin tuaj ne do i marrim mostrat dhe do e bëjmë shkatërrimin dhe djegien e tyre këtu në vendin e ngjarjes” – i thotë hetuesi i Policisë prokurores.

Pasi janë marrë mostrat janë evidentuar fijet e kanabisit fillon shkatërrimi dhe djegia e tyre.

Pa kaluar 24 orë nga koha e arrestimeve Prokuroria e Pejës ka bërë kërkesën për masën e paraburgimit prej një muaji.

Kërkesën e Prokurorisë e ka pranuar Gjykata e Pejës dhe ka caktuar masën e paraburgimit për 6 të ndaluarit.