I akuzuari pranon se posedonte armë pa leje

Xhelal Halabaku, i akuzuar për armëmbajtje pa leje e ka pranuar fajin para gjykatësit Naser Maliqi, në Gjykatën e Gjilanit. Ai u dënua me gjobë nga gjykata.

Sipas Prokurorisë së Gjilanit i akuzuari Xhelal Halabaku, ka poseduar armë pa leje dhe në kundërshtim me ligjin.

Sipas aktakuzës, i akuzuari ka poseduar armë të tipit pushkë gjuetie të prodhimit Turk dhe 7 copë fishek të të njëjtës armë, e të cilat i janë konfiskuar nga ana e Policisë me rastin e bastisjes se të akuzuarit.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Shaban Spahiu, i akuzuari tha se e pranon fajësinë për veprën me të cilën e ngarkon Prokuroria.

“Fajësinë e pranoj pa asnjë ndikim, pasi që është e vërtet që armën ma kanë zënë policia, e di që shpallem fajtor, por prapë e pranoj fajësinë”, tha i akuzuari Halabaku.

Kurse prokurori tha se nuk e kundërshton pranimin e fajësisë nga i akuzuari pasi që ky pranim është i mbështetur në shkresat e lëndës.

“Pranimi i fajësisë është bërë në mënyrë vullnetare nga i akuzuari dhe një pranimin i tillë është në përputhje me shkresat të cilat Prokuroria i ka në dispozicion, andaj si Prokurori nuk e kundërshtojmë një pranim të tillë”, tha prokurori Spahiu.