Ukë Rugova

Gjykimi ndaj Ukë Rugovës, japin rrëfimin para gjykatës dy 'oborrtarët' e rezidencës së familjes Rugova

Sebahate e Skënder Halili, kanë dhënë dëshminë e tyre në gjykimin ndaj Ukë Rugovës dhe të tjerëve të akuzuar në rastin e njohur si ‘vizat italiane.

Dëshmitarja Sebahate Halili deklaroi se e njeh Ukë Rugovën pasi ajo kishte punuar në rezidencën e Familjes Rugova që nga vitet e 90-ta.

“Unë kam punu në ‘Velani’ me Presidentin Rugova që nga viti 1990, si personel dhe kam shërbyer Ibrahim Rugovën”, deklaroi Sebahate Halili.

E njëjta theksoi se kishte lutur të akuzuarin Ukë Rugova përshpejtimin e procesit të marrjes së vizës schengen, pasi që ajo kishte dashur të shkonte në Suedi pranë bashkëshortit të saj.

Sipas saj tashmë i akuzuari Ukë Rugova në fillim i kishte thënë se do të shikoj e pastaj i kishte thënë se do ta ndihmonte në përshpejtimin e procesit të marrjes së vizës dhe gjithashtu tregoi për dokumentet që kishte kërkuar i akuzuari Ukë Rugova nga dëshmitarja në fjalë.

“Kam dashur që të shkoj te bashkëshorti im i cili ka jetuar në Suedi, edhe e luta Ukën që të ma shpejtojë procedurën sipas mundësive. Kjo pasi që unë kam qenë si antare e familjes së tyre. Uka fillimisht më tha ta këqyrim, pastaj me tha të ndihmoj që me e përshpejtu procedurën”, deklaroi Sebahate Halili.

Ajo më pastaj shtoi se e ka marrur pasaportën me vizë schengen italiane dhe se të njëjtën e ka përdorur për të udhëtuar në Suedi, dhe gjithashtu gjatë udhëtimit me këtë vizë nuk ka pasur asnjë pengesë gjatë udhëtimit.

“Mbas një periudhe më është kthyer pasaporta. Pasaportën e kam marr në rezidencën e Familjes Rugova dhe në të ka qenë viza italiane. Po kam udhëtuar me ketë vizë në Suedi tek bashkëshorti im. Dhe nuk kam pasur asnjë pengesë sa i përket vizës”, tha Sebahate Halili.

Tutje ajo dëshmoi se i akuzuari Ukë Rugova nuk ka kërkuar nga ajo as para, e as ndonjë shërbim, në këmbim të rregullimit të vizës italiane.

“Sa i përket kompensimit për vizë nuk i kam dhënë asgjë Ukës, e as nuk i kam kryer asnjë shërbim, por unë atë familje e shof si timen pasi që kam punuar shumë vite aty”, deklaroi Sebahate Halili.

Më pas dëshmoi edhe dëshmitari tjetër Skënder Halili.

Ai në dëshminë e tij para trupit gjykues deklaroi se asnjëherë nuk ka aplikuar për vizë në Ambasadën Italiane, por që në pasaportën e tij gjendet viza italiane e lëshuar në vitin 2012.

Ai deklaroi se e njihte të akuzuarin Ukë Rugova pasi që punon në rezidencën e familjes Rugova që nga viti 1999. Ai tha se nga i akuzuari Ukë Rugova kishte kërkuar vizë schengen italiane dhe se i njëjti i ka ndihmuar që ta merr vizën.

“Unë punoj në rezidencën e familjes së Presidentit Rugova që nga viti 1999, edhe kam pas nevojë për një vizë schengen. Kam biseduar fillimisht me Ukën, nëse ka ndonjë mundësi që me marr vizën më shpejt”, tha dëshmitari.

“Uka më tha për momentin nuk mund të them asgjë, por gjatë javës të lajmëroj. Me sa më kujtohet pas 2 ose 3 jave, Uka më tha se mundemi me bo diçka për më shpejt. Për të aplikuar për vizë. Uka kërkoi nga unë që t`ia dërgoj pasaportën dhe 2 fotografi dhe unë ja dorëzova”, deklaroi Skënder Halili.

Ai tutje shtoi se është pajisur me vizë brenda 3 jave por që të njëjtën nuk e ka shfrytëzuar asnjëherë.

“Pasaporta më është kthyer pas diku 20 dite ose 3 jave, e njëjta më është kthyer nga një koleg imi që ka punuar me mua me emrin Naim, tani i ndjeri. Pasaporta ka qenë me vizë schengen italiane. Unë nuk kam mundur që ta shfrytëzoj këtë vizë”, tha Skënder Halili.

Ai shtoi se i akuzuari nuk ka kërkuar para e as ndonjë shërbim në këmbim, por vetëm ka paguar tarifën për vizë në vlerë diku 60 apo 70 euro.

“Unë kam paguar taksën e Ambasadës për vizë italiane, ndërsa tani të akuzuarit Ukë Rugova nuk i kam dhënë para të tjera, e as nuk i kam kryer ndonjë shërbim në favor të tij përveç punës së zakonshme në rezidencë për të cilën jam paguar”, deklaroi Halili.

Seanca e radhës për këtë proces gjyqësor është caktuar për datën 22 shtator 2021.

Aktakuza për këtë rast është ngritur nga Prokuroria Speciale më 16 maj të vitit 2016 dhe ndonëse kanë kaluar afro 5 vite ky rast ende nuk ka një epilog.

Kujtojmë se Ukë Rugova dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e mbajtur më 11 janar të vitit 2017.

Ukë Rugova, ish-ministri Astrit Haraqija, Qefser Baholli, Izet Beqiri dhe Florian Petani akuzohen se në bashkëpunim me 15 të akuzuar të tjerë ndërtuan një skemë e cila kundërligjshëm u siguroi të paktën 500 personave viza italiane.

Në këtë proces gjyqësor janë gjithsej 20 të akuzuar, mirëpo për pesë të lartcekurit është veçuar procedura për qëllim të ekonomizimit duke u njohur si rasti “Ukë Rugova 1”, ndërsa për 15 të akuzuarit e tjerë procesi gjyqësor njihet si “Ukë Rugova 2”.

Lidhur me këtë proces penal nga Prokuroria Speciale janë propozuar 178 dëshmitarë, 70 prej të cilëve kanë të bëjnë me rastin “Ukë Rugova 1”.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me rastin ku i akuzuar është Ukë Rugova mund t`i lexoni duke klikuar në – LINK