Arkiv - Seanca gjyqësore në rastin 'Ukë Rugova 2', Foto: KALLXO.com

Dëshmitari në rastin ‘Ukë Rugova 2’: Punoja si kamarier në Fushë Kosovë, në listë isha staf i familjes Rugova

Në seancën e rastit që mban emrin ‘Ukë Rugova 2’ u dëgjuan tre dëshmitarë, të cilët rrëfyen eksperiencat e tyre deri te marrja e një vize turistike italiane.

Ky proces gjyqësor është pjesa e dytë e gjykimit ku të akuzuarit përballen me akuzat për mashtrim dhe kontrabandim me migrantë e që në opinion njihet si “mashtrimi me vizat italiane”.

Më 3 korrik të vitit 2020 ndaj këtyre 15 të akuzuarve u veçua procedura penale.

Dëshmitarët deklaruan se ka kaluar kohë e gjatë prej se ka ndodhur ngjarja dhe se nuk i mbajnë mend mirë detajet.

Kështu prokuroria i ballafaqoi me deklaratat e dhëna në vitin 2013 në polici.

Dëshmitari Ardin Gërguri, deklaroi se arsyeja pse ishte i interesuar për një vizë Schengen, ishte gjendja ekonomike.

“Arsyeja kryesore pse kam tentu me e marrë këtë vizë, është gjendja ekonomike për shkak se unë kam qenë më i madhi në familje, kjo ka qenë arsyeja pse kom pas nevojë me dal jashtë” – tha dëshmitari Gërguri.

Prokurorja e rastit Florie Shamolli, e ballafaqoi dëshmitarin me pjesën e deklaratës ku i njëjti në Polici në vitin 2013 kishte deklaruar se i kishte dhënë 3700 euro për të marrë vizën.

Dëshmitari deklaroi se nuk mund të përgjigjej saktë, përderisa kishin kaluar afër 10 vite nga ngjarja.

Prokurorja vazhdoi duke e pyetur se a ia kishte prezantuar Policia një listë me emra të stafit të familjes Rugova dhe dëshmitari u përgjigj se po edhe pse ai kishte punuar si kamarier në një kafene në Fushë Kosovë në atë kohë.

“Po, ma ka prezantu, isha kanë në atë listë, figurojsha si staf i familjes Rugova, e kam pa si privilegj me punu te Rugova” – tha dëshmitari Gërguri.

Pas tij u dëgjua dëshmitari Arif Ademaj, i cili deklaroi se njeh njërin nga të akuzuarit e këtij rasti, njeh të akuzuarin Haxhi Islami, pasi që sipas tij ai ia kishte mundësuar marrjen e vizës.

“E njoh Haxhi Islamin, pasi që djalin e tij e kam pas në klasë, bashkë me të, më kanë shpjegu që munden me ma bo një vizë italiane, se ka të njofshëm në ambasadë, m’i ka kërku 4 mijë euro pasi që të kryhet viza” – tha dëshmitari Arif Ademaj.

Pas dëshmitarit Ademaj u dëgjua dëshmitari Xhevdet Latifi, i cili deklaroi se njeh të akuzuarin Ragip Gashi.

Sipas dëshmitarit, i akuzuari i kishte kërkuar para si bakshish nëse ai merr vizën, mirëpo i njëjti nuk kishte marrë vizën.

“Unë në atë kohë kam bisedu dy herë me Ragip Gashin, kemi pirë kafe, ia kam dhënë pasaportën tem, më ka thënë që nëse del viza m’i jep disa të holla si bakshish, ma ka kthy pasaportën, nuk ka dalë viza” – tha dëshmitari Latifi.

Sipas aktakuzës plot 556 viza Schengen ishin marrë nga Ambasada e Italisë në Prishtinë, si rezultat i aktiviteteve të këtij grupi.

Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Azem Koskoviku, Hamza Beqiri, Visar Beqiri, Begë Shaqiri, Hasan Shaqiri, Edison Idrizi, Driton Voca, Fadil Ahmeti, Haxhi Islami dhe Valon Selimi, akuzohen nga Prokuroria se duke qenë anëtarë të organizatës të themeluar, organizuar, mbikëqyrur, menaxhuar ose drejtuar nga Ukë Rugova dhe Izet Beqiri, kanë marrë pjesë në furnizimin e individëve me viza Schengen nga Ambasada Italiane në Prishtinë, të cilat janë marrë në mënyrë të paligjshme ose përmes shtrembërimit ose korrupsionit.

Këta 15 të akuzuar i përkasin grupit të të akuzuarve ku bëjnë pjesë edhe Ukë Rugova, ish-deputet dhe djali i ish-presidentit Ibrahim Rugova, dhe Astrit Haraqija, ish-ministri i Kulturës nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Raportimet e KALLXO.com për këtë rast i gjeni në këtë LINK.