Arkiv - Seanca gjyqësore në rastin 'Ukë Rugova 2', Foto: KALLXO.com
'Mashtrimi me viza italiane', dëshmitari tregon si i kishte paguar paratë
Gjykimi ndaj të akuzuarve në rastin ‘Ukë Rugova 2’, ka vazhduar më dëgjimin e tetë dëshmitarëve të ftuar nga ana e Prokurorisë.
Ky proces gjyqësor është pjesa e dytë e gjykimit ku të akuzuarit përballen me akuzat për mashtrim dhe kontrabandim me migrantë e që kanë vepruar si grup kriminal bashkë me Ukë Rugovën e të tjerët.
Më 3 korrik të vitit 2020 ndaj këtyre 15 të akuzuarve u veçua procedura penale.
Dëshmitarët sot deklaruan se ka kaluar kohë e gjatë prej ndodhjes së rastit dhe se shumica e detajeve nuk iu kujtohej.
Në cilësi të dëshmitarit ishte edhe drejtoresha e burimeve njerëzore të Postës, Gjyljeta Izmaku- Rama.
Prokuroja e rastit Florie Shamolli e pyeti dëshmitaren në lidhje me deklaratën e saj të dhënë në polici, nëse iu është prezantuar asaj një listë e personave që figurojnë si punëtorë të Postës e në fakt nuk janë, e njëjta u përgjigj se kishte mundësi.
“A ju ka prezantu policia një listë me 34 persona që nuk kanë qenë punëtorë të postës”- tha Prokurorja Florie Shamolli.
Dëshmitari tjetër, Kreshnik Dervishi, deklaroi se i janë kërkuar 3000-3500 euro për vizë Schengen nga një agjension në Prizren dhe madje i njëjti kishte paguar shumën 1500 euro si parapagesë.
“Na u ka lajmëru një djalë që na ka thënë se ka agjension në Prizren dhe se mundet me na e kry vizën, normal kushti ka qenë pagesa 3000-3500 euro dhe ne u pajtuam, të nesërmen shkova në Prizren e mora pasaportën e motrës, unë ja kam dhënë 1500 euro në agjension, ndërsa për pjesën tjetër marrëveshja ka qenë pasi ta marrim vizën, pastaj na ka thirr policia e Kosovës. Unë pastaj kam shku te ai agjension për me i kërku të hollat por ka qenë i mbyllur dhe asnjëherë s’jam interesu më për këtë punë”, tha dëshmitari Kreshnik Dervishi.
Për këtë seancë ishin të ftuar edhe 3 dëshmitarë të tjerë mirëpo të njëjtit nuk ishin paraqitur në gjykatë.
Sipas aktakuzës plot 556 viza Schengen ishin marrë nga Ambasada e Italisë në Prishtinë, si rezultat i aktiviteteve të këtij grupi.
Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Azem Koskoviku, Hamza Beqiri, Visar Beqiri, Begë Shaqiri, Hasan Shaqiri, Edison Idrizi, Driton Voca, Fadil Ahmeti, Haxhi Islami dhe Valon Selimi, akuzohen nga Prokuroria se duke qenë anëtarë të organizatës të themeluar, organizuar, mbikëqyrur, menaxhuar ose drejtuar nga Ukë Rugova dhe Izet Beqiri, kanë marrë pjesë në furnizimin e individëve me viza Schengen nga Ambasada Italiane në Prishtinë, të cilat janë marrë në mënyrë të paligjshme ose përmes shtrembërimit ose korrupsionit.
Këta 15 të akuzuar i përkasin grupit të të akuzuarve ku bëjnë pjesë edhe Ukë Rugova, ish-deputet dhe djali i ish-presidentit Ibrahim Rugova, dhe Astrit Haraqija, ish-ministri i Kulturës nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Raportimet e KALLXO.com për këtë rast i gjeni në këtë LINK