Gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së, dëshmitari rrëfen për pasojat shëndetësore për shkak të burgosjes dhe ndalimit

Në gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, në Gjykatën Speciale sot ka dëshmuar edhe një dëshmitar i Prokurorisë.

Dëshmitari me kodin W-01236 ka folur për periudhën e luftës, kur ai pretendon se ishte burgosur dhe pasojat që ka pësuar.

Sipas dëshmitarit, burgosja dhe ndalimi kanë pasur efekte psikologjike dhe pasoja të rënda.

“Shumë keq i kam përjetuar, kam hala mendime, s’më hiqen kurrë. Shumë më kujtohen këto, më tmerr nuk ka” – tha dëshmitari.

Ai gjithashtu tregoi se ka marrë trajtim psikologjik edhe kur ka dalë jashtë Kosovës.

“Po, për disa vjet kam shkuar vazhdimisht te psikologu në Zvicër. Por kujtimet nuk më largohen ende”- deklaroi W-01236.

Në vijim dëshmitari tregoi për takimin me psikologun dhe dhimbjet e trupit, dhimbjen e kokës dhe paqëndrueshmërinë psiqike që ai përjetoi periudhë pas periudhe.

“I tregova që e kam këtë problem, dhimbje në trup, dhimbje koke, psiqikisht herë pas here nuk isha mirë. Kam pasur biseda me të, i kam treguar, dhe ata të gjitha llojet i kanë sa i përket për qetësim e për diabet, dhimbje koke, të gjitha. Nuk di me i përshkru sa hapat i kam” – deklaroi dëshmitari.

Ai tha se se dy vite kishte shkuar te psikologu dhe ishte trajtuar me hapa.

Për gjendjen në të cilën është ai tha se është për shkak të asaj që përjetoi gjatë luftës.

“Krejt problemet i kam gjatë luftës e këndej që kam kujtime. Nuk më fshihen prej trunit me marrë turli farë hapa të qetësimit”-deklaroi ai.

Në vijim dëshmitari u është përgjigjur pyetjeve të mbrojtësit të viktimave, Simon Laws, disa prej të cilave ishin me përmbajtje të redaktuar.

Dëshmitari i shtatë përfundoi dëshminë e tij për sot ndërkaq gjykimi ndaj krerëve të UÇK-së do të vazhdojë sipas kalendarit.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.

Deri tani, 140 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor.

Ata janë vetëdeklaruar të pafajshëm për akuzat në fjalë.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.