Policia e Trafikut - Foto: KALLXO.com

14 ish-policët e akuzuar për ryshfet përsërisin se ndihen të pafajshëm

Në Gjykatën e Mitrovicës sot ka vazhduar gjykimi ndaj 14 ish-zyrtarëve policorë të akuzuar për marrje ryshfeti.

Të akuzuar në këtë rast janë 14 ish-zyrtarët policorë: Ahmet Hasani, Artan Bimbashi, Avdi Beqiri, Avni Mehmeti, Bojan Saviq, Esat Haxhiu, Halit Shabani, Jovica Trajkoviq, Nazim Hamiti, Rushit Hoti, Sahit Hajdari, Sedat Haxhimehmeti, Sllavisha Spasiq, Zeki Shala.

Ndaj të pandehurit Destan Rrecaj, i akuzuar po ashtu për marrje ryshfeti, është hedhur aktakuza dhe ka pushuar procedura penale.

Gjatë seancës së sotme prokurorja e rastit ka njoftuar Gjykatën se ka bërë ndryshimin e veprës penale – marrje e ryshfetit, duke e kualifikuar në veprën penale në marrje e ryshfetit në vazhdim.

Prokurorja Zejnije Kela i ka dorëzuar trupit gjykues me shkrim një shkresë që ka të bëjë me ndryshimin e përshkrimit faktik në disa dispozitiva të aktakuzës dhe me rikualifikim e veprës penale në raport me aktakuzën.

Gjithashtu prokurorja ka shpjeguar se për të pandehurit Jovica Trajkoviq, Arton Bimbashi dhe Zeki Shala vazhdon të mbetet vetëm vepra penale – marrje ryshfeti.

Gjykimi ndaj ish-policëve ka filluar rishtazi pasi kanë kaluar më shumë se tre muaj nga seanca e fundit që është mbajtur në këtë rast.

Lidhur me akuzat e Prokurorisë të gjithë të akuzuarit janë deklaruar përsëri të pafajshëm, ndërsa Gjykata u ka dhënë mundësi për deklarim rreth fajësisë edhe pas rikualifikimit që ka bërë prokurorja, por të gjithë të pandehurit kanë qëndruar pranë deklarimeve si të pafajshëm.

Seanca ka vazhduar me administrimin e provave ndërsa avokati Ruzhdi Maloku që në këtë rast e mbron të akuzuarin Bojan Saviq ka propozuar që të dëgjohet si dëshmitar Destan Rrecaj ndaj të cilit në procedurat e mëhershme të kësaj çështjeje është hedhur aktakuza.

Edhe i pandehuri Nazmi Haliti ka propozuar që të dëgjohet dëshmitari Jetish Maliqi, siç ka thënë ai, për arsyet e cekura në seancat e mëhershme.

Këto propozime janë kundërshtuar nga prokurorja Zejnije Kela, e cila ka thënë se është e panevojshme të dëgjohen këta dëshmitarë, me arsyetimin se rrethanat për të cilat janë propozuar të dëshmojnë veçse janë vërtetuar përmes masave të fshehta.

Trupi gjykues lidhur me këto propozime do të vendosë në seancën e nesërme.

Kurse seanca e sotme është ndërprerë me kërkesën e prokurores Kela, e cila ka njoftuar Gjykatën se duhet të marrë pjesë në një trajnim nga Ambasada amerikane dhe Prokuroria e Shtetit lidhur me zgjedhjet e 14 shkurtit që do të mbahen në Kosovë.

Seanca e radhës pritet të vazhdojë nesër në Gjykatën e Mitrovicës.

Këta janë pjesë e grupit prej 59 zyrtarëve policorë të cilët ishin arrestuar në dhjetor të vitit të 2016 nga Inspektorati Policor i Kosovës nën dyshimin për veprat – keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar, marrje e ryshfetit dhe dhënie e ndihmës kryesve të veprave penale.

Prokuroria e Mitrovicës në maj të vitit 2017 kishte ngritur aktakuzë sipas të cilës akuzoheshin 37 persona, në mesin e tyre 35 policë për marrje ryshfeti dhe dy qytetarë për dhënie ryshfeti, raporton KALLXO.com.

Në këtë rast, në mesin e të akuzuarve për veprën penale dhënia e ryshfetit kanë qenë edhe dy qytetarë, Slavolub Dimiq dhe Goran Gjuriq, të cilët e kanë pranuar fajësinë.

Ndërsa me propozimin e Prokurorisë, Gjykata e Mitrovicës u kishte shqiptuar urdhër ndëshkimor në qershor 2016 dhe të njëjtit i ka dënuar me gjobë prej 500 eurosh secilin.

Ndërsa procedura kishte vazhduar me 35 të akuzuarit e mbetur dhe në gusht të vitit 2017 Gjykata në Mitrovicë me aktvendim kishte veçuar procedurën për 20 të akuzuarit nga Njësia e Trafikut Regjional në Veri, nga pjesa tjetër e 15 të akuzuarve që kanë qenë të angazhuar në Njësinë e Trafikut Rajonal në Jug të Mitrovicës.

Të gjithë të akuzuarve u ishte ndërprerë marrëdhënia e punës.

Kurse ndaj të pandehurit Destan Rrecaj ishte hedhur aktakuza dhe ka pushuar procedura penale nën akuzën për marrje të ryshfetit.

Sipas aktakuzës, këta zyrtarë policorë kanë marrë ryshfet nga kundërvajtësit në trafik në shkëmbim të mosshqiptimit të gjobave.

Në këtë mënyrë, këta policë dyshohet se përfituan për vete ndërsa e dëmtuan buxhetin e shtetit.

Kallxo.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast.