Gjykimi i 14 ish-policëve për ryshfet, në seancë lëshohen video-incizimet

Në Gjykatën e Mitrovicës ka vazhduar gjykimi ndaj 14 ish-zyrtarëve policorë të akuzuar për marrje ryshfeti

Të akuzuar në këtë rast janë 14 ish-zyrtarët policorë: Ahmet Hasani, Artan Bimbashi, Avdi Beqiri, Avni Mehmeti, Bojan Saviq, Esat Haxhiu, Halit Shabani, Jovica Trajkoviq, Nazim Hamiti, Rushit Hoti, Sahit Hajdari, Sedat Haxhimehmeti, Sllavisha Spasiq, Zeki Shala.

Ndaj të pandehurit Destan Rrecaj, i akuzuar po ashtu për marrje ryshfeti, është hedhur aktakuza dhe ka pushuar procedura penale.

Në seancën e sotme ka vazhduar administrimi i provave të Prokurorisë dhe në Gjykatë janë lëshuar video-incizimet e siguruara përmes masave të fshehta lidhur me këtë rast penal, e në të cilat iu referoheshin disa prej tashmë ish-zyrtarëve policorë.

Lidhur me këto video incizime ka pasur kundërshtime nga avokatët Visar Rrecaj, Shefqet Ibrahimi e Kadri Osaj të cilët në këtë rast i mbrojnë të akuzuarit Rushit Hoti, Sahit Hajdari dhe Sedat Haxhimehmeti.

Avokati Visar Rrecaj ka thënë se ka vërejtje sa i përket pikës 14 të akuzës karshi pretendimit të Prokurorisë ku thuhej: “Mos shkruaj asgjë pash Zoti se qe i kam 10 euro po ti jep me pi kafe, dhe i pandehuri Rushit pranon dokumentet nga kundërvajtësi ku mes tyre është edhe kartëmonedha 10 euro, mirëpo ia kthen duke i thanë: nuk i du, i du vetëm 5 euro. Fjala e fundit nuk dëgjohet dhe nuk është thënë në incizim këtë që thash e ka përkthyer përkthyesja“, tha avokati Rrecaj.

Sipas tij nuk është kontestuese fakti se së bashku me ata dokumente ia kthen kundërvajtësit paratë, kurse pretendimet e Prokurorisë se i mbrojturi i tij Hoti ka pranuar monedha të metalta sipas avokatit nga shikimi i videos nuk mund të thuhet se kanë parë që kundërvajtësi t’i ketë dhënë monedha të metalta të mbrojturit të tij, siç pretendon Prokuroria, që ai i fut në xhep.

Rrecaj ka thënë se siç e ka cekuar edhe në fjalën hyrëse për këtë veprim nga dyshemeja e veturës, klienti i tij Rushit Hoti, kishte marrë sipas tij vetëm çelësat e kastës që e ka në dispozicion çdo polic ndërsa nuk ka të bëjë me marrje ryshfeti.

Kurse lidhur me videon tjetër të datës 15.10.2016 të lëshuar në Gjykatë, sipas avokatit Rrecaj nuk vërehej asnjë veprim inkriminues për të mbrojturin e tij.

“Sa i përket minutave prej 12:15, datës 15.10.2016 me këtë video-incizim nuk vërehet asnjë veprim inkriminues nga ana e të mbrojturit tim, incizimet nga minutazha kanë të bëjnë me shumë me të bashkëpandehurin por meqenëse në këtë dispozitiv ne bashkëkryerje akuzohet edhe i mbrojturi im dua të them se asnjë video-incizim nuk mund të vërehet pranimi i mjeteve financiere, marrja e tyre apo pranimi i ofertës ashtu që incizimet për të mbrojturin tim të datës 15.10.2016 nuk mund të konsiderohet si provë ajo me tepër është si një indice“, tha avokati Rrecaj.

Kurse avokati Shefqet Ibrahimi, i cili e mbron të akuzuarin Sahit Hajdari, ka thënë se në video-incizim nuk shihen pretendimet e Prokurorisë sipas të cilave i  mbrojturi i tij hyn në veturë, lëshon një bankënotë 10 euro e fut në xhep… ndërsa në video-incizim as nuk dëgjohet as nuk shihet ndonjë kundërvajtës që është i ndaluar, janë konstatime te prokurorisë apo raporteve që Prokuroria dëshiron t’i fusë si prova… Në raport me të mbrojturin tim përveç faktit se policët e lëshojnë një kundërvajtës pa e dënuar, në video-incizim , për të mbrojturi tim ka të bëjë vetëm rreshti i fundit, më pas të dy të pandehurit i ndajnë paratë në mënyrë të barabartë ndërsa në video-incizim kjo gjë nuk shihet në video”, tha Ibrahimi.

Ndërsa avokati Kadri Osaj, i cili e mbron të akuzuarin Sedat Haxhimehmeti po ashtu e ka kundërshtuar dispozitivin e akuzës me numër 14, 15 dhe 16 sepse sipas tij pretendimi i Prokurorisë nuk mbështetet në DVD-të të cilat janë shikuar gjatë seancës.

Osaj ka shtuar se me asnjë gjest-veprim nuk vërehet se klienti i tij t’i ketë thënë dikujt ku t’i hedhë paratë, as nuk mund te vërehet se i ka marrë të hollat siç ka pretenduar Prokuroria në aktakuzë.

Palët e tjera nuk kanë pasur kundërshtime në raport me video-incizimet që janë vështruar gjatë seancës së sotme.

Gjykimi ndaj katërmbëdhjetë ish-policëve pritet të vazhdojë edhe nesër.

Gjatë seancës së djeshme prokurorja e rastit ka njoftuar Gjykatën se ka bërë ndryshimin e veprës penale – marrje e ryshfetit, duke e kualifikuar në veprën penale në marrje e ryshfetit në vazhdim.

Prokurorja Zejnije Kela i kishte dorëzuar trupit gjykues me shkrim një shkresë që ka të bëjë me ndryshimin e përshkrimit faktik në disa dispozitiva të aktakuzës dhe me rikualifikim e veprës penale në raport me aktakuzën.

Gjithashtu prokurorja ka shpjeguar se për të pandehurit Jovica Trajkoviq, Arton Bimbashi dhe Zeki Shala vazhdon të mbetet vetëm vepra penale – marrje ryshfeti.

Këta janë pjesë e grupit prej 59 zyrtarëve policorë të cilët ishin arrestuar në dhjetor të vitit të 2016 nga Inspektorati Policor i Kosovës nën dyshimin për veprat – keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar, marrje e ryshfetit dhe dhënie e ndihmës kryesve të veprave penale.

Prokuroria e Mitrovicës në maj të vitit 2017 kishte ngritur aktakuzë sipas të cilës akuzoheshin 37 persona, në mesin e tyre 35 policë për marrje ryshfeti dhe dy qytetarë për dhënie ryshfeti, raporton KALLXO.com.

Në këtë rast, në mesin e të akuzuarve për veprën penale dhënia e ryshfetit kanë qenë edhe dy qytetarë, Slavolub Dimiq dhe Goran Gjuriq, të cilët e kanë pranuar fajësinë.

Ndërsa me propozimin e Prokurorisë, Gjykata e Mitrovicës u kishte shqiptuar urdhër ndëshkimor në qershor 2016 dhe të njëjtit i ka dënuar me gjobë prej 500 eurosh secilin.

Ndërsa procedura kishte vazhduar me 35 të akuzuarit e mbetur dhe në gusht të vitit 2017 Gjykata në Mitrovicë me aktvendim kishte veçuar procedurën për 20 të akuzuarit nga Njësia e Trafikut Regjional në Veri, nga pjesa tjetër e 15 të akuzuarve që kanë qenë të angazhuar në Njësinë e Trafikut Rajonal në Jug të Mitrovicës.

Të gjithë të akuzuarve u ishte ndërprerë marrëdhënia e punës.

Kurse ndaj të pandehurit Destan Rrecaj ishte hedhur aktakuza dhe ka pushuar procedura penale nën akuzën për marrje të ryshfetit.

Sipas aktakuzës, këta zyrtarë policorë kanë marrë ryshfet nga kundërvajtësit në trafik në shkëmbim të mosshqiptimit të gjobave.

Në këtë mënyrë, këta policë dyshohet se përfituan për vete ndërsa e dëmtuan buxhetin e shtetit.

Kallxo.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast.