Policia e Trafikut - Foto: KALLXO.com

Përfundon gjykimi ndaj 14 ish-policëve të akuzuar për marrje ryshfeti, më 6 prill aktgjykimi

Me dhënien e fjalës përfundimtare ka përfunduar shqyrtimi gjyqësor ndaj 14 ish-zyrtarëve policorë të akuzuar për marrje ryshfeti

Seanca është mbajtur në Gjykatën e Mitrovicës kurse të akuzuar në këtë rast janë: Ahmet Hasani, Artan Bimbashi, Avdi Beqiri, Avni Mehmeti, Bojan Saviq, Esat Haxhiu, Halit Shabani, Jovica Trajkoviq, Nazim Hamiti, Rushit Hoti, Sahit Hajdari, Sedat Haxhimehmeti, Sllavisha Spasiq, Zeki Shala. Ata po akuzohen nga Prokuroria për marrje ryshfeti.

Prokurorja e rastit Zejnije Kela në seancën e mbajtur më 2 shkurt të këtij viti ka bërë ndryshimin e veprës penale – marrje e ryshfetit, duke e kualifikuar në veprën penale në marrje e ryshfetit në vazhdim.

Prokurorja Kela i kishte dorëzuar trupit gjykues me shkrim një shkresë që ka të bëjë me ndryshimin e përshkrimit faktik në disa dispozitiva të aktakuzës dhe me rikualifikim e veprës penale në raport me aktakuzën.

Gjithashtu prokurorja ka shpjeguar se për të pandehurit Jovica Trajkoviq, Arton Bimbashi dhe Zeki Shala vazhdonte të mbetej vetëm vepra penale – marrje ryshfeti.

Pas administrimit të provave dhe marrjes në pyetje të të pandehurve dymbëdhjetë prej të cilëve kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre që të mbrohen në heshtje, ndërsa dy janë deklaruar, sot është dhënë fjala përfundimtare nga prokurorja dhe mbrojtësit e të akuzuarve.

Me rastin e dhënies së fjalës përfundimtare prokurorja e rastit Kela ka deklaruar se mbetet në tërësi pranë akuzës së precizuar, duke shtuar se të akuzuarit tanimë ish-zyrtarët policorë kishin pranuar kartëmonedha në euro dhe dinarë serb në mënyre që të mos u shqiptonin gjoba kundërvajtësve në trafik.

“Prokuroria qëndron pas akuzës së precizuar që është bërë me datë dy shkurt 2021 ndaj të pandehurve sepse të njëjtit persona, në kohën kur kanë qenë policë për njësinë rajonale të trafikut Mitrovicë jug në vazhdimësi… në rrugë regjionale në bashkëveprim me njëri-tjetrin kanë pranuar dhe kërkuar shuma të ndryshme parash në kartëmonedha në euro dhe në dinarë serb, si dhe dhurata të ndryshme në atë mënyre që të mos u shqiptojnë gjoba kundërvajtësve në trafikun rrugor“, tha prokurorja.

Po ashtu prokurorja ka kërkuar nga Gjykata që të akuzuarit t’i shpallë fajtorë dhe t’i dënojë sipas ligjit.

“Kjo gjendje faktike është vërtetuar dhe me padyshim nga zbatimi i masave të fshehta të përgjimit duke bërë monitorimit e bisedave… dhe provave të cilat janë administruar gjatë shqyrtimit gjyqësor prandaj me këtë është vërtetuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale, andaj kërkoj nga gjykata që të njëjtit t’i shpall fajtorë dhe të shqiptojë dënim sipas ligjit dhe me rastin e matjes së lartësisë së dënimit gjykata të ketë parasysh rrethanat lehtësuese dhe rënduese që do t’i gjejë te secili i akuzuar“, tha Kela.

Fjalën përfundimtare për secilin të akuzuar e kanë paraqitur edhe mbrojtësit e të akuzuarve Ahmet Hasani, Artan Bimbashi, Avdi Beqiri, Avni Mehmeti, Bojan Saviq, Esat Haxhiu, Halit Shabani, Jovica Trajkoviq, Nazim Hamiti, Rushit Hoti, Sahit Hajdari, Sedat Haxhimehmeti, Sllavisha Spasiq dhe Zeki Shala.

Disa duke e dorëzuar më shkrim pranë gjykatës fjalën përfundimtare e disa duke elaboruar edhe gojarisht para trupit gjykues, të gjithë avokatët i kanë propozuar Gjykatës që me rastin e marrjes së vendimit për të mbrojturit e tyre t’i lirojë nga akuza dhe t’i shpall të pafajshëm.

Më pas kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Avni Mehmeti ka njoftuar palët se shqyrtimit gjyqësor në këtë çështje penale kishte përfunduar në tërësi duke theksuar se ka bazë për marrjen e vendimi përfundimtar.

Ndërsa shpallja publike e aktgjykimit  në këtë rast do të bëhet të martën më 6 prill në Gjykatën e Mitrovicës.

Këta janë pjesë e grupit prej 59 zyrtarëve policorë të cilët ishin arrestuar në dhjetor të vitit të 2016 nga Inspektorati Policor i Kosovës nën dyshimin për veprat – keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar, marrje e ryshfetit dhe dhënie e ndihmës kryesve të veprave penale.

Prokuroria e Mitrovicës në maj të vitit 2017 kishte ngritur aktakuzë sipas të cilës akuzoheshin 37 persona, në mesin e tyre 35 policë për marrje ryshfeti dhe dy qytetarë për dhënie ryshfeti, raporton KALLXO.com.

Në këtë rast, në mesin e të akuzuarve për veprën penale dhënia e ryshfetit kanë qenë edhe dy qytetarë, Slavolub Dimiq dhe Goran Gjuriq, të cilët e kanë pranuar fajësinë.

Ndërsa me propozimin e Prokurorisë, Gjykata e Mitrovicës u kishte shqiptuar urdhër ndëshkimor në qershor 2016 dhe të njëjtit i ka dënuar me gjobë prej 500 eurosh secilin.

Ndërsa procedura kishte vazhduar me 35 të akuzuarit e mbetur dhe në gusht të vitit 2017 Gjykata në Mitrovicë me aktvendim kishte veçuar procedurën për 20 të akuzuarit nga Njësia e Trafikut Regjional në Veri, nga pjesa tjetër e 15 të akuzuarve që kanë qenë të angazhuar në Njësinë e Trafikut Rajonal në Jug të Mitrovicës.

Të gjithë të akuzuarve u ishte ndërprerë marrëdhënia e punës.

Kurse ndaj të pandehurit Destan Rrecaj ishte hedhur aktakuza dhe ka pushuar procedura penale nën akuzën për marrje të ryshfetit.

Sipas aktakuzës, këta zyrtarë policorë kanë marrë ryshfet nga kundërvajtësit në trafik në shkëmbim të mosshqiptimit të gjobave.

Në këtë mënyrë, këta policë dyshohet se përfituan për vete ndërsa e dëmtuan buxhetin e shtetit.

Kallxo.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast.