Mitrovicë, vazhdon gjykimi i 14 ish-policëve të akuzuar për marrje ryshfeti

Për të tretën ditë me radhë në Gjykatën e Mitrovicës ka vazhduar gjykimi ndaj 14 ish-zyrtarëve policorë: Ahmet Hasani, Artan Bimbashi, Avdi Beqiri, Avni Mehmeti, Bojan Saviq, Esat Haxhiu, Halit Shabani, Jovica Trajkoviq, Nazim Hamiti, Rushit Hoti, Sahit Hajdari, Sedat Haxhimehmeti, Sllavisha Spasiq, Zeki Shala, të akuzuar nga Prokuroria për marrje ryshfeti.

Në seancën e sotme janë lëshuar përsëri incizimet e Prokurorisë të siguruara përmes masave të fshehta lidhur me këtë rast penal.

Lidhur me këto video-incizime ka pasur kundërshtime nga avokatët Ruzhdi Maloku dhe Ahmet Tahiri, të cilët mbrojnë të akuzuarit Bojan Saviq dhe Nazim Hamiti.

Maloku ka thënë se nga video-incizimi nuk shihet qartë vlera apo shuma e lëshuar nga kundërvajtësi dhe se nga dispozitivi i aktakuzës nuk mund së vërtetohet saktë shuma.

“Nga video-incizimi nuk shihet çfarë vlerë apo shume ka lëshuar kundërvajtësi në veturën apo automjetin zyrtar, në dispozitiv të akuzës së Prokurorisë shkruan se është 10 euro, ne nuk mund ta vërtetojmë se a është 5 euro a 10 euro, andaj e kundërshtojmë këtë”, tha avokati Maloku.

Kurse avokati Tahiri ka thënë se nga video-incizimi nuk është dëgjuar nëse i mbrojturi i tij ka kërkuar ndonjë shumë të të hollave siç pretendon Prokuroria në akuzë.

“Nga video-incizimi unë si mbrojtës as nuk e pash as nuk e dëgjova të mbrojturin tim, as duke marrë as duke kërkuar ndonjë shumë të të hollave ashtu siç pretendon prokuroria në aktakuzë, andaj kërkojmë që kjo provë të veçohet nga shkresat e lëndës dhe të mos administrohet fare”, tha Tahiri.

Gjithashtu gjatë kësaj seance kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Avni Mehmeti ka njoftuar të pandehurit dhe mbrojtësit e tyre se Prokuroria përmes IPK-së ka siguruar raportet të cilat janë pjesë e transkriptave të CD-ve nga zbatimi i masave të fshehta teknike të hetimit dhe vëzhgimit.

Të njëjtat raporte dhe transkripte nga Gjykata u janë dorëzuar palëve pasi Gjykata i ka kopjuar.

Kurse pasi të gjitha palët janë pajtuar këto raportet të propozuara si provë dhe transkriptet që lidhen me masat e fshehta nuk janë administruar sot me arsyetimin se duhet kohë që të njëjtat t’i shikojnë palët pastaj të paraqesin kundërshtimet dhe vërejtjet e tyre në një seancë tjetër.

Trupi gjykues ka administruar të gjitha provat të cilat janë propozuar përveç atyre për të cilat u vendos të administrohen për seancat e ardhshme.

Seancat e radhës janë caktuar për më 30 dhe 31 mars.

Prokuroria e Mitrovicës në maj të vitit 2017 kishte ngritur aktakuzë sipas të cilës akuzoheshin 37 persona, në mesin e tyre 35 policë për marrje ryshfeti dhe dy qytetarë për dhënie ryshfeti, raporton KALLXO.com.

Në këtë rast, në mesin e të akuzuarve për veprën penale dhënia e ryshfetit kanë qenë edhe dy qytetarë, Slavolub Dimiq dhe Goran Gjuriq, të cilët e kanë pranuar fajësinë.

Ndërsa me propozimin e Prokurorisë, Gjykata e Mitrovicës u kishte shqiptuar urdhër ndëshkimor në qershor 2016 dhe të njëjtit i ka dënuar me gjobë prej 500 eurosh secilin.

Ndërsa procedura kishte vazhduar me 35 të akuzuarit e mbetur dhe në gusht të vitit 2017 Gjykata në Mitrovicë me aktvendim kishte veçuar procedurën për 20 të akuzuarit nga Njësia e Trafikut Regjional në Veri, nga pjesa tjetër e 15 të akuzuarve që kanë qenë të angazhuar në Njësinë e Trafikut Rajonal në Jug të Mitrovicës.

Këta janë pjesë e grupit prej 59 zyrtarëve policorë të cilët ishin arrestuar në dhjetor të vitit të 2016 nga Inspektorati Policor i Kosovës nën dyshimin për veprat – keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar, marrje e ryshfetit dhe dhënie e ndihmës kryesve të veprave penale.

Të gjithë të akuzuarve u ishte ndërprerë marrëdhënia e punës.

Kurse ndaj të pandehurit Destan Rrecaj ishte hedhur aktakuza dhe ka pushuar procedura penale nën akuzën për marrje të ryshfetit.

Sipas aktakuzës, këta zyrtarë policorë kanë marrë ryshfet nga kundërvajtësit në trafik në shkëmbim të mosshqiptimit të gjobave.

Në këtë mënyrë, këta policë dyshohet se përfituan për vete ndërsa e dëmtuan buxhetin e shtetit.