Gjykata Speciale cakton ditën e fillimit të gjyqit ndaj Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit

Gjykata Speciale ka caktuar katër seanca gjatë muajit prill për gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi po mbahen në paraburgim në Hagë. Deri më tani, Gjykata ka refuzuar çdo kërkesë për mbrojtje në liri të ish-krerëve të UÇK-së.

Fillimi i procesit për Thaçin dhe të tjerët është caktuar për datën 3 prill, ndërsa deklarata hyrëse do të vazhdojë më 4 dhe 5 prill.

Sipas njoftimit, data 11 prill është rezervuar për paraqitjen e provave të Prokurorisë dhe dëgjimin e dëshmitarëve.

Seancat do të fillojnë në ora 9:30, me një vonesë prej 45 minutash për transmetimin publik.

Më 29 prill të vitit të kaluar, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Prokuroria po pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetisht.

Në aneksin e publikuar sa i përket krimeve që pretendohen se ndodhën në Semetisht dhe Budakovë, Prokuroria ka listuar krimet e luftës si arrestimi dhe ndalimi i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor ose çnjerëzor, torturë, vrasje.

Si krime kundër njerëzimit i ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, zhdukjen e personave me forcë dhe persekutimin. Kurse, për krimet që pretendon që ndodhën në Gjilan, si krime lufte i ka listuar arrestimin dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor ose çnjerëzor, torturën dhe vrasjen.

Ndërsa, si krime kundër njerëzimit ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen dhe persekutimin.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës janë institucione të krijuara nën bazën e një marrëveshjeje ndërkombëtare të miratuar nga Kuvendi i Kosovës.

Këto institucione janë përkohësisht të themeluara me mandat dhe juridiksion të caktuar për krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe krime të tjera në Kosovë për periudhën 1 janar 1998 dhe 31 dhjetor 2000.

Krimet pretendohet se janë kryer nga persona me shtetësi të Kosovës ose të Republikës Federale të Jugosllavisë kundër personave me shtetësi të Kosovës ose të Republikës Federale të Jugosllavisë sipas legjislacionit të Kosovës.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës kanë selinë në Hagë, Holandë dhe personeli i tyre është i përbërë nga profesionistë ndërkombëtarë, përfshirë gjykatës, prokurorin e specializuar dhe administratorin.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.