Gjuan me armë pa leje në mes të Hanit të Elezit, dënohet me 1 vit burgim me kusht
Fuat Vila, është dënuar nga Gjykata e Ferizajt me një vit burgim me kusht, pasi u gjet fajtorë në akuzat e Prokurorisë për përdorimin e armës pa leje.
I pandehuri para gjyqtarit Sahit Krasniqi e pranoi fajësinë dhe i njëjti tha se është penduar dhe se nuk do ta përsëris të njëjtën vepër.
Mbrojtësi i tij, avokati Vesel Jashari theksoi se i pandehuri në mënyrë vullnetare e ka pranuar fajësinë dhe është penduar për veprën e bërë.
Avokati i të pandehurit Vesel Jashari propozoi gjykatës që t’i shqiptohet një dënim i kushtëzuar.
Gjyqtari pas pranimit të fajësisë nga i pandehuri të njëjtin e shpalli fajtorë dhe e dënon me 1 vit burgim me kusht, dhe 400 euro gjobë,
Prokurori i rastit Rasim Maloku u pajtua me pranimin e fajësisë nga i pandehuri,
Ndryshe i pandehuri Fuat Vila, akuzohej nga prokuroria se me datë 28 maj 2019 rreth orës 13:30 në Han të Elezit në rrugën ‘’Gafurr Loku’’ ka mbajtur në posedim pa autorizim armën, dhe derisa ka qenë me veturën e tij Mercedes ngjyrë e zezë, ka poseduar pa autorizim revole, me një karikator dhe dy fishekë, e cila pastaj iu sekuestrua nga policia.
Me tej prokuroria theksonte se i njëjti në të njëjtën datë dhe të njëjtën orë ka përdorur pa autorizim armën dhe nga vetura e tij ka shtënë dy herë me revole.