Foto: Kallxo.com

Gjakovë, kërkohet hedhje e aktakuzës për marihuanën e gjetur në dhomë të gjumit

Në gjykimin e Besnik Kabashit, i akuzuar për 51 gramë marihuanë, avokati kundërshtoi aktakuzën e Prokurorisë dhe kërkoi që ajo të hedhet poshtë nga gjykata e Gjakovës.

Mbrojtësi i të akuzuarit Besnik Kabashi, avokati Yll Bokshi, tha se aktakuza nuk mbështetet në prova dhe se i mbrojturi i tij, substancën narkotike e kishte për konsumim personal.

Në anën tjetër prokurori Ramiz Buzhala tha se kërkesa e të akuzuarit duhet të hedhet si e pabazuar.

“Aktakuza ka prova të mjaftueshme që tregojnë se i akuzuari ka kryer veprën penale. Pretendimi se në aktakuzë nuk janë përshkruar veprimet të cilat kërkohen janë të paqëndrueshme, sepse gjatë bastisjes në shtëpinë e tij janë gjetur 18 paketime dhe gjëra tjera”, deklaroi prokurori Ramiz Buzhala.

Ndërsa gjykatësi Shaqir Zika, e refuzoi kërkesën e avokatit Yll Bokshi për ta hedhur poshtë aktakuzën.

Pas këtij refuzimi, avokati i të akuzuarit ka të drejtën e ankesën në gjykatën e Apelit.

KALLXO.com ka raportuar edhe më herët për këtë rast.

Besnik Kabashi, i akuzuar për blerje e shitje të 51 gramë marihuanë, ishte deklaruar i pafajshëm.

Gjakovë – I akuzuari ‘drogën e kisha për konsum personal, jo për shitje’

Aktakuza e Prokurorisë thotë se në muajin korrik të këtij viti, gjate bastisjes në shtëpinë e tij, Besnik Kabashit i ishte gjetur marihuana në dhomën e gjumit.

Në aktakuzë thuhet se Besnik Kabashit i janë gjetur 32 gramë substancë narkotike e mbështjellë me folje alumini, 18 paketime të mbështjella në copëza të vogla në peshë prej 17 gramë të bëra gati për shitje, në çantën e tij janë gjetur 1.27 gram dhe në oborrin e shtëpisë, në garazhën ku i mbante drutë i është gjetur një paketim me peshë 0.82 gram, një peshore digjitale.

I akuzuari dyshohet se kishte në posedim 51.09 gram substancë narkotike të llojit marihuanë.