Gjakovë - I akuzuari 'drogën e kisha për konsum personal, jo për shitje'

Besnik Kabashi, i akuzuar për blerje e shitje të 51 gr marihuanë është deklaruar i pafajshëm para gjykatësit të krimeve të rënda Shaqir Zika në Gjykatën e Gjakovës.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Ali Uka, Kabashi nuk e pranoi fajësinë për shitje të drogës.

“Unë nuk kam e kam pasur për ta shitur, e kam pasur për vete, unë jam i varur dhe drogën e konsumoj që 9 vite”, deklaroi Besnik Kabashi.

Ndërsa prokurori i rastit Ali Uka, tha se është e drejtë e të akuzuarit të deklarohet lirshëm për akuzën që i ngarkohet.

Në anën tjetër mbrojtësi i të akuzuarit Besnik Kabashi, avokati Yll Bokshi pasi që i mbrojturi i tij e pranoi që e kishte vetëm për konsumim personal e jo për shitje, tha se prokurori duhet të ricilësoj veprën penale.

Si kërkesë tjetër e avokatit Yll Bokshi, ishte që Gjykata të ndërpres masën e paraburgimit ndaj tij, dhe të njëjtën ta zëvendësonte me një masë tjetër me të butë.

Mirëpo, lidhur me propozimin për ndërprerjen e paraburgimit, gjykatësi Shaqir Zika tha se do të vendos brenda ditës.

Seanca e radhës, nga gjykatësi Zika u caktua me datën 21 tetor, për kundërshtimin e aktakuzës dhe provave të saj.

Sipas aktakuzës Besnik Kabashi, po akuzohet për 51.09 gr marihuanë.

Aktakuza e Prokurorisë thotë se në muajin korrik të këtij viti, gjatë bastisjes marihuana i është gjetur në shtëpinë e tij, në dhomën e gjumit.

Në aktakuzë thuhet se Besnik Kabashit i janë gjetur 32 gr substancë narkotike e mbështjellë me folje alumini, 18 paketime të mbështjella në copëza të vogla në peshë prej 17 gr të bëra gati për shitje, në çantën e tij janë gjetur 1.27 gr dhe në oborrin e shtëpisë, pikërisht në garazhën ku i mbante drunjtë i është gjetur një paketim me peshë 0.82 gr, një peshore digjitale.

Gjithsej i akuzuari në posedim kishte 51.09 gr substancë narkotike, të llojit marihuanë.